Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet lidhur me raportimin nga Polica të vrasjes së 18-vjeçarit në Podujevë i cili vdiq dy ditë më parë.
Ky rast në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës u cilësua si “therrje me thikë”.
Zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se tashmë kanë nisur hetimet për këtë.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin prëveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së”, tha Zeka.
Lulzim F., vdiq të shtunën në QKUK, pasi me gjithë trajtimin mjekësor nuk mundi t’u mbijetojë lëndimeve të rënda që i mori më 14 janar nga dy të mitur (16 dhe 17 vjeç).
Këtë rast, Policia në raportin 24-orësh dërguar mediave një ditë më pas, e kishte cilësuar si vrasje në tentativë, duke e përshkruar si therje me thikë.
“Podujevë 14.01.2024-13:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhej në raport.
18-vjeçari vdiq të shtunën në Klinikën e Intensivës në QKUK.