Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha sot se vendimi i Bankës Qendrore të ndalesë për pagesat me dinarë serbë ishte “një surprizë e panevojshme” dhe se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë duke monitoruar dhe analizuar nga afër zhvillimin e situatës.
Christopher Hill, në një deklarim nga Sokobanja, një vendbanim në lindje të Serbisë, tha se veprime të tilla të njëanshme duhet të shmangen në këtë fazë të dialogut.
“Në këtë fazë të dialogut që kemi arritur dhe që ka arritur zoti Lajçak duhet të shmangen surprizat e tilla të panevojshme dhe veprimet e njëanshme. Mendojmë se më e rëndësishmja tani është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, por edhe që Kosovës t’i jepet qasje në institucionet ndërkombëtare. Duhet të fokusohemi në këto tema dhe të shmangim temat që nuk janë me interes të përbashkët”, tha Hill.
Banka Qendrore në Prishtinë ka bërë të ditur javën e kaluar se ka miratuar një rregullore të re e cila parasheh që pagesat të kryhen vetëm me valutën euro.