Murati: Thirrja për kthimin e dënimit me vdekje, është thirrje për t’i ikur të gjithë ne përgjegjësisë si shoqëri

Kryetari i LB-së, Valon Murati ka thënë se debati për dënimin me vdekje është përpjekje për t’i ikur përgjegjësive që i kemi si shoqëri.

Ai ka thënë se sa herë ndodhin akte makabre të krimit si rasti i fundit në Podujevë, nxjerr krye debati për dënimin me vdekje.

“Në vend se si shoqëri të shohim se ku kemi dështuar në situata të tilla, sidomos kur në pyetje janë të miturit delikuentë, duke filluar nga familja, shkolla, shërbimet sociale, drejtësia, gazetaria e ekonomia, ne e gjejmë zgjidhjen më të lehtë. “Le ta kthejmë dënimin me vdekje” – buçasin rrjetet sociale, tavolinat e kafeneve tona, e ndonjëherë mund të dëgjohen të tilla qëndrime edhe në mediat tona”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Postimi i plotë i Muratit:

Debati për dënimin me vdekje përpjekje për t’i ikur përgjegjësive që i kemi si shoqëri

Sa herë ndodhin akte makabre të krimit si rasti i fundit në Podujevë, nxjerr krye debati për dënimin me vdekje. Në vend se si shoqëri të shohim se ku kemi dështuar në situata të tilla, sidomos kur në pyetje janë të miturit delikuentë, duke filluar nga familja, shkolla, shërbimet sociale, drejtësia, gazetaria e ekonomia, ne e gjejmë zgjidhjen më të lehtë. “Le ta kthejmë dënimin me vdekje” – buçasin rrjetet sociale, tavolinat e kafeneve tona, e ndonjëherë mund të dëgjohen të tilla qëndrime edhe në mediat tona.

Thirrja për kthimin e dënimit me vdekje, është thirrje për t’i ikur të gjithë ne përgjegjësisë si shoqëri. Është ikje nga përgjigja në një mori pyetjesh që duhet t’i bëjmë. Si e kemi arsimin? Si e kemi ekonominë dhe shërbimet sociale? Si e kemi familjen? Çfarë drejtësie duam dhe cili është raporti ynë personal me ligjin? Çfarë politikanësh ne duam dhe adhurojmë? Çfarë debatesh kemi dëshirë të dëgjojmë mbrëmjeve në televizionet tona? Si sillemi ne në rrjetet sociale, posaçërisht me ata qëndrimet e të cilëve nuk na pëlqejnë? Cili tip i biznesmenëve ne na pëlqen në realitet? Si i edukojmë ne fëmijët tanë? Çfarë vlerash promovojmë tek ta?

Në anën tjetër debati për dënimin me vdekje edhe në botën demokratike vazhdon, por vendet demokratike në masë të madhe e kanë ndaluar krejtësisht këtë dënim, sepse përveç problemeve morale që shkakton ai, përveç gabimeve të mëdha që janë identifikuar, dënimi me vdekje nuk ka dëshmuar se e ndalon krimin.

Dhe në fund vijmë tek gjendja në të cilën është Kosova. Ky debat është i kot në praktikë. Mund të debatohet në nivelet akademike, por dënimi nuk mund të kthehet në Kosovë. Përveç nëse nuk duam të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës dhe më vonë në Bashkimin Evropian. Nuk mund të pranohesh në Këshillin e Evropës, nëse e ke dënimin me vdekje në fuqi. Ky është kusht i patejkalueshëm, sepse ndalimi i këtij dënimi në të gjitha shtetet e Këshillit të Evropës është absolut edhe në rrethana lufte përmes Protokollit 13 (2002) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky debat shpesh zhvillohet edhe në Shqipëri. Situata është e njëjtë. Vetëm në rastin e fundit, shteti shqiptar nëse e kthen dënimin me vdekje përjashtohet nga Këshilli i Evropës.

Andaj ta kthejmë debatin në binarë normal. Të merremi seriozisht me fëmijët dhe të rinjtë tanë. Duke nisur nga shkolla. Të trajtojmë seriozisht shenjat e para të delikuencës së të miturve. Të përpiqemi të jemi një shoqëri më normale, në mënyrë që të kemi edhe fëmijë që marrin modele të duhura nga të rriturit e jo modele të “fortish”. T’ia fillojmë nga vetja. Pastaj nga familja. Të ndikojmë me qëndrimet tona edhe në sjelljet e politikanëve dhe atyre që kanë peshë në jetën publike.

Rastet e fundit tregojnë për probleme më të thella shoqërore e strukturore. Drejtësia është vetëm njëra hallkë. Të shpresojmë se do ta kryej punën e vet si duhet. Por ndërhyrja duhet të jetë shumë, shumë më e thellë dhe më e gjerë.

Familjes së Lulzimit, ngushëllimet më të thella.

Leave a Reply

Your email address will not be published.