Nga 1 shkurti pjesëtarët e Policisë së Kosovës në kryeqytet do të kenë shërbime falas në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor.
Kështu tha sot në një deklaratë për media drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Prishtinës, Izet Sadiku pas një takimi që pati me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Sadiku tha se gjatë takimit me Hoxhën e ka njoftuar për të gjitha shërbimet që do t’i marrin falas pjesëtarët e Policisë në Prishtinë.
“Qëllimi i këtij takimi është që ta njoftojë komandantin e Policisë së Kosovës për vendimin e Asamblesë komunale të Prishtinës, për lirimin e të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga shërbimi që do t’i kenë në shërbimin parësorë shëndetësorë. Ne e njoftuam komandantin se cilat janë shërbimet që ofrojmë ne për pjesëtarët e PK-së. Ne e kemi njoftuar drejtorin e Policisë në detaje dhe sigurisht që ky bashkëpunim nga 1 shkurti do të përcjellin një mesazh tek të gjitha ambulancat tona dhe shërbimet që i japin qendrat e shëndetit parësorë në Prishtinë…”, ka thënë Sadiku.
Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha ka thënë se policët që jetojnë në Prishtinë do t’i shfrytëzojnë këto shërbime që i ka ofruar Komuna e Prishtinës.
“U njoftuam për vendimin e Asamblesë Komunale të Prishtinës, normalisht që është një vendim i drejtë dhe i mirëpritur nga PK-ja. Ne do të njoftojmë të gjithë policët e Kosovës që jetojnë në Prishtinë që t’i shfrytëzojnë këto shërbime që i ka ofruar falas kryeqyteti. Po shpresojmë të kemi policë të shëndetshëm dhe të kemi policë të gatshëm në shërbim të qytetareve të Prishtinës dhe gjithë atyre që jetojnë këtu”, tha Hoxha.