Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendim lidhur me dy të ndaluarit lidhur me rastin e rënies së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, ku mbeti e lënduar një 23-vjeçare.
Ndaj zyrtarit të Komunës, Gjykata ka vendosur për caktimin e masës Ndalim për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar. Në rast se nuk e respekton këtë masë, atëherë i zëvendësohet me paraburgim.
“…të pandehurit Y.J i caktohet masa e Ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar, ashtu që të pandehurit Y.J i ndalohet qasja në zyret e Komunës së Prishtinës si dhe kontakti me kolegë e tij të punës. Kjo masë, sipas këtij aktvendimi, do të zgjasë nga data 22.01.2024 deri me datë 21.02.2024 dhe në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga I pandehuri Y.J, të njëjtit do t’i zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
“Gjyqtarja Procedurës Paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ashtu që të pandehurit B.B iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1(një) muaj, masa e arrestit shtëpiak të pandehurit B.B, i llogaritet duke filluar që nga data e ndalimit 22.01.2024 deri me date 21.02.2024. Konform nenit 181 pararafi 5 të KPPRK, gjykata mund të caktoj masën më të rëndë – paraburgimin, nëse i pandehuri nuk e respekton masën e shqiptuar. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ndaluar para dy ditësh dy persona të dyshuar në rastin e rënies së çatisë së Komunës së Prishtinës.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e rënies së çatisë të objektit të Kadastrit të Komunës së Prishtinës, më 18.01.2024, ku si pasojë e kësaj ngjarjeje mbeti e lënduar rëndë një qytetare e Republikës së Kosovës dhe gjendja e saj shëndetësore mbetet ende kritike, si dhe në këtë ngjarje u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale, me ç’ rast në vazhdën e veprimeve hetimore, sot me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy (2) persona të dyshuar në këtë rast, njëri nga ta është zyrtar i Komunës së Prishtinës me inicialet Y.J., përderisa personi tjetër i ndaluar me aktvendim të prokurorit është person përgjegjës i Kompanisë punuese për vend punishten e kompanisë në fjalë me inicialet B.B”, thuhet në njoftim.