Bislimi takohet me ministrin çek, biseduan rreth planit për integrimin evropian të Kosovës

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak.

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ministrin Dvorak dhe Republikën e Çekisë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj procesit të integrimit evropian të Kosovës, veçanërisht gjatë Presidencës së tyre të Këshillit të BE-së në gjashtë mujorin e dytë të vitit 2022, ku vendi ynë arriti progres të rëndësishëm, me marrjen e vendimit politik për liberalizimin e vizave, dhe aplikimin në Pragë për anëtarësim në BE.

Në vazhdimësi, u bisedua mbi integrimin evropian dhe të ardhmen evropiane të vendit. Zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi Planin e Rritjes dhe angazhimin e Kosovës në këtë instrument, si një komponent shtesë i përkrahjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe i forcimit të bashkëpunimit rajonal.

Gjatë diskutimit u bisedua edhe rreth procesit të dialogut, ku zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ministrin Dvorak rreth zhvillimeve të fundit, e ku theksoi se Kosova mbetet palë konstruktive, aktive dhe kreative në proces, me ide e propozime.

Leave a Reply

Your email address will not be published.