Për 6,3 për qind është rritur deficiti tregtar në Kosovë në muajin dhjetor 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kështu thuhet në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2023.
“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6,3% në muajin dhjetor 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 477,7 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 449,5 milion Euro në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me 12,0%”, ka njoftuar ASK-ja.
Mes tjerash bëhet e ditur se eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2023 kishte vlerën 65,4 milion Euro, ndërsa importi 543,1 milion Euro, që është një rënie prej (-9,3%) për eksport, si dhe një rritje prej 4,1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18,5% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar; 13,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 13,4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5,8% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, etj”.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13,6% e përbëjnë produktet minerale; 13,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,1% e përbëjnë mjetet e transportit; 11,5% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike; 8,8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 18,7 milion Euro, ose rreth 28,6% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-2,1%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (10,0%), Italia (4,2%), Holanda (2,1%), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 225,3 milion Euro, ose 47,0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 17,5%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,8%), Greqia (5,6%), Italia (4,3%), etj.
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 28,0 milion Euro, ose 42,7% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-5,9%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (18,3%), Maqedonia e Veriut (12,5%), Serbia (5,8%), Mali i Zi (4,9%).
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 69, 1 milion Euro, ose 12,7% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-25,5%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,4%), Maqedonia e Veriut (4,4%), Serbia (1,8%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 18,7 milion Euro, ose 28,7%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: SHBA (13,2%) dhe Zvicra (8,9%).
Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 218,7 milion Euro, ose 40,3%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14,9%) dhe Kina (10,1%).