“Propaganda e krerëve të shtetit serb, përfshirë presidentin e Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, dhe veprimet e strukturave ilegale ekstremiste e grupeve kriminale janë të koordinuara dhe në shërbim të njëra-tjetrës drejt qëllim të frikësimit të qytetarëve tanë në veri”, tha Fetoshi.
Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi, tha se Serbia dhe strukturat “ilegale” në veri, po tentojnë të frikësojnë qytetarët, që po i konvertojnë targat.
Ministria e Punëve të Brendshme tha se gjatë 24 orëve të fundit në veri të Kosovës janë regjistruar tri raste të djegës së veturave apo pronës së qytetarëve që kanë konvertuar targat e tyre nga ato që lëshohen nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Sipas MPB-së, një rreshteri të Policisë së Kosovës në veri, që konvertoi targat, në orët e mbrëmjes iu sulmua shtëpia dhe iu dogj një pjesë e saj.
Në Zveçan, një qytetarit serb, sipas MPB-së, iu dogj një depo, pasi ai kishte riregjistruar veturën e djalit të tij, dhe po ashtu një banori në komunat në veri, pas riregjistrimit të veturës, mbrëmë iu dogj vetura.
Një zyrtar i Policisë së Kosovës në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë. 1 shtator 2021.
Kjo ministri fajësoi “grupet ilegale ekstremiste” për këto incidente, pa specifikuar se për cilat grupe bëhet fjalë.
“Këto grupe ilegale ekstremiste tashmë nuk kufizohen vetëm në shkelje të sovranitetit në veri, por ata shtypin qytetarët dhe vullnetin e tyre dhe kjo është bërë pengesë për jetën e përditshme të qytetarëve tanë atje, të cilët çfarëdo pajtueshmërie të qytetarëve për t’u legalizuar në jetën e përditshme i përgjigjen me presione, kërcënime, dhunë dhe sulme”, tha Fetoshi nga MPB.
Për djegiet e pronave të serbëve që po i riregjistrojnë makinat e tyre, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, fajin ua ka lënë “strukturave ilegale”.
Gjatë një konference për media në Prishtinë më 27 tetor, Osmani tha se serbët po “frikësohen” në mënyrë që të mos i marrin targat RKS.
“Ka një kohë të gjatë që qytetarëve serbë që po respektojnë dhe zbatojnë ligjet, që po i ndërrojnë targat, si rezultat i kësaj po u digjen shtëpitë dhe makinat. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale dëshmojnë se kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, tha Osmani.
Fotografi e realizuar gjatë takimit në Beograd midis përfaqësuesve të Listës Serbe dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Qeveria e Kosovës ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët serbë në veri të Kosovës, mund të riregjistrojnë veturat e tyre në RKS. Besohet se afër 10.000 makina qarkullojnë në veri të Kosovës, e të cilat kanë targa të lëshuara nga Serbia me akronime serbe të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PR, PZ e të ngjashme.
Qeveria e Kosovës ka thënë se pas 31 tetorit këto makina nuk do të mund të qarkullojnë e as të kalojnë kufirin. Por, nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dhe nga Serbia më 27 tetor kanë paralajmëruar për barrikada nëse Kosova konfiskon makinat apo targat e serbëve. /REL