/

Gjysma e pjesëmarrësve vajza në trajnimin në Prizren mbi Edukimin Medial

Të shtunën, në Prizren, u zhvillua trajnimi i radhës me mbi 20 të rinj nga kjo komunë, të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Grupi i tretë i pjesëmarrësve u trajnua në kuadër të projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë” – i financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, me grant për gazetën online Reporteri.net.

Njëzetenjë (21) pjesëmarrësit në këtë trajnim ishin të moshave 18-35 vjeç. Mbi gjysma (50%) e tyre ishin vajza dhe gra. Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin edhe vullnetarët e organizatës lokale “Durmish Aslano”. Trajnimi u zhvillua në hapësirat e “Makerspace Innovation Center” në Prizren.

Të rinjtë u trajnuan në pesë module të ndryshme: Juristja e medias, Flutura Kusari i trajnoi mbi “Rregullimin e Mediave dhe Përgjegjësinë Ligjore të Punëtorëve të Medias”. Bekim Kabashi nga Reporteri.net u ligjëroi për “Identifikimin e Burimeve të Besueshme të Informacionit”. Lavdim Hamidi nga Front Online u ligjëroi për “Raportimin etik, privatësinë dhe sigurinë online”. Gazetari Selamir Qerimi nga T7 i trajnoi për “Verifikimin e fakteve”. Dhe e fundit, Aurora Popova nga “Debat Center” u ligjëroi rreth “Mendimit Kritik”. Në fund, bashkë me pjesëmarrësit për një orë u simulua një demo-debat, rreth identifikimit dhe luftimit të dezinformimit dhe propagandës.

“Trajnimi ishte me të vërtetë frytëdhënës, na udhëzoi dhe na tregoi disa gjëra të cilat nuk i kemi ditur më herët, edhe na tregoi se qysh mundemi me e dallu një lajm të rremë, si dhe për gazetarinë në bazë të etikës dhe rregullave, informata të cilat më herët nuk i kisha marrë në trajnime tjera”, tha Gynesh Veshall pas trajnimit, kur foli për përshtypjet e saj pasi mori pjesë në pesë modulet.

“Mendoj se duhet me pas trajnime të tilla pak më shumë. Duke e pas parasysh se gjysma e rinisë janë aktiv në rrjetet sociale dhe po ndikohen nga to. E falënderoj Ambasadën Amerikane dhe Reporterin për mundësinë”, shtoj e reja nga Prizreni.

Vlerësim për projektin, e në veçanti edhe për pjesëmarrjen e madhe të vajzave dhe grave në Prizren, pati Shyret Hoxhaj, pjesëmarrëse në trajnim.

“Trajnimi ka qenë me një kuadër tejet potencial, dhe na ka bë me kuptu më shumë rreth lajmeve të rreme. Jemi trajnu në atë formë që me dallu lajmin e rremë prej atij të vërtetë”, tha ajo.

“Më erdhi shumë mirë që sot shumica e sallës ka qenë e mbushur me vajza. Dhe shpresoj se edhe herave tjera me pas kaq shumë vajza në trajnime, dhe ju bëj thirrje që mos me u ndal e me marrë pjesë në trajnime”, potencoi tutje Hoxhaj.

Edhe pjesëmarrësja tjetër, Lejla Veshalli, pati vlerësim të madh rreth trajnimit që e ndoqi të shtunën në Prizren, dhe tha se mësoi shumë nga modulet e projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”.

“Ky trajnimi që mora pjesë sot është shumë me rëndësi. Kemi mbajt edhe disa debate në kuadër të trajnimit, të ndarë në grupe, dhe ne i kemi shtjellu dhe diskutu se cilat janë lajme të rreme e cilat jo. I kemi shtjellu edhe sipas titujve, çka duhet me u ndryshu ose jo, etj…”., tha ajo.

“Dhe për mua si një vajzë është shumë me rëndësi me i ndjek këto trajnime dhe duhet të ketë më shumë të tilla. Shumë është me rendësi që edhe në rajone tjera të Kosovës të organizohen të tilla trajnime”, shtoi e reja nga Prizreni.

Ky projekt financohet me grant nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për Gazetën Online Reporteri.net (R Media L.L.C). Projekti implementohet në partneritet me median “Front Online” dhe Institutin për Hulumtime “iFront”.

Trajnime të ngjashme deri më tash janë organizuar në tre komuna të ndryshme të Kosovës. Në Prizren, në Ferizaj me pjesëmarrës edhe nga Shtimja, si dhe në Lipjan me të rinjë edhe nga Fushë-Kosova. Trajnimet do të vazhdojnë edhe gjatë muajit shkurt, në Prishtinë e Gjakovë.

Deri më tani, në kuadër të projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë” janë trajnuar gjithsej rreth 70 të rinjë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Prej tyre, 32 ishin gra/vajza – rreth 45% të pjesëmarrësve.

Gjatë këtij procesi, 6 nga kandidatët më të suksesshëm që dalin nëpërmjet një gare të hapur dhe transparente gjatë zhvillimit të trajnimeve në 5 rajone të ndryshme të Kosovës, do të përzgjidhen për të kryer punë praktike në mediat dhe organizatat partnere të projektit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.