Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq tha sot se shteti i Serbisë do të ketë përgjigje adekuate ndaj nënshkrimit të marrëveshjes ushtarake mes Turqisë dhe Kosovës që u bë të hënën.
Një ditë më parë ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci njoftoi për firmosjen e kësaj marrëveshje.
Ai përmes një njoftimi në Facebook u shpreh se ujdia është bërë për të thelluar bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime.
“Shkëmbimi i personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimi në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turkiye ishin disa nga çështjet të cilat i diskutuam, e që përmes marrëveshjes së nënshkruar i hapim rrugë procesit për realizimin e tyre. Krahas lidhjes kulturore ndërmjet dy shteteve tona, tashmë ekziston një bashkëpunim i ngushtë në aspektin ushtarak, me qëllim që së bashku t’i kontribuojmë ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, ka bërë me dije Maqedonci.