Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në dy ditët e ardhshme pritet të ketë një siç tha dakordim për çështjen e dinarit, pasi me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që nga nesër e ndalon përdorimin e dinarit serb në vend.
“Unë jam për atë që zbatimi të jetë i plotë, e jo vetëm në letër. Dhe të gjithë e dinë se për të pasur zbatim të plotë na duhet edhe përkrahja e aleatëve tanë, në mënyrë që të kemi qëndrueshmëri. Pra, mund të bëhen edhe njëra, edhe tjetra. Jam i bindur që njëra nuk e përjashton tjetrën. Mund të ruhen edhe Kushtetuta, edhe aleatët tanë”, tha Osmani.Për këtë çështje, ajo tha se nuk ka mundur të diskutojë dje me emisarin europian, Miroslav Lajçak.
“Tani, sa i përket kësaj çështje, neni 11 i Kushtetutës kërkon që Kosova në qarkullim dhe në përdorim ta ketë vetëm një valutë. Është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri tash. BQK e ka kryer punën e vet… Sa i përket zbatimit në praktikë, janë duke u diskutuar një sërë opsionesh, të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por në anën tjetër do të lënë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre, të themi, në llogari të reja, e të tjera, në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate, sepse siç e dini për secilën çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me shtrirjen e sovranitetit dhe me sigurinë e shtetit tonë, ne sa herë i kemi aleatët tanë në krah, atëherë tejkalohen këto sfida dhe realizohet mbrojtja e Kushtetutës sonë në tërësi”, tha Osmani para gazetarëve, pas homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.
“Një shembull i tillë është çështja e targave”, tha Osmani, duke kujtuar se ndërkombëtarët “patën kërkuar të shtyhet” vendimi.
“Dhe siç po e shihni sot, gati të gjithë qytetarët që jetojnë në veri kanë transferuar targat e tyre në targa të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.
DTV