Gërvalla flet për veprimet kërcënuese të Serbisë me ministrin gjerman të Mbrojtjes, i kërkon përforcim të rolit të Gjermanisë

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, sot është takuar me ministrin Federal të Mbrojtjes të Gjermanisë, z. Boris Pistorious, në prag të vizitës së tij në Republikën e Kosovës.

Bashkëpunimi mes dy shteteve në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, harmonizimi i politikave të mbrojtjes dhe sigurisë dhe integrimi i Kosovës në NATO, ishin temat kyçe të takimit të punës mes tyre, siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një deklaratë për media.

Gërvalla e njoftoi Pistorius rreth “situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, veprimeve të vazhdueshme kërcënuese të Serbisë dhe nevojën e ndërmarrjes së hapave të shpejtë dhe të vendosur për ruajtjen e paqes së brishtë në rajon”.

Ajo falënderoi ministrin gjerman për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në veçanti për mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë FSK-së në ngritjen e kapaciteteve si dhe kontributin e Gjermanisë të dhënë prej vitesh në kuadër të KFOR-it.

Në këtë drejtim, Gërvalla kërkoi një rritje dhe përforcim të rolit të Gjermanisë në rajon.

“Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit në mes të dy shteteve, duke krijuar mundësi për një të ardhme të sigurt dhe prosperuese në rajon”, thotë MPJD.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.