Vendosen tabelat informuese për rëndësinë e Ujëvarave të Mirushës

Organizata për mbrojtjen e mjedisit Ecopana, përfaqësuese e WWF Adria në Kosovë, në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës kanë bërë sot vendosjen e tabelave informuese për rëndësinë e Ujëvarave të Mirushës si Monument i Natyrës me Rëndësi të Veçantë.

Në njoftimin për media thuhet se vendosja e këtyre tabelave ka për qëllim të ndërgjegjësojë vizitorët për rëndësinë ekologjike, shkencore, estetike, kulturo-historike dhe atë turistike të Ujëvarave të Mirushës.

Më tej bëhet e ditur se territori i Ujëvarave të Mirushës ka një bio-diversitet të pasur, me rreth 330 lloje të bimëve vaskulare, 44 lloje të kërpudhave të larta, lloje të shumta të shtazëve, e dhjetëra lloje të rralla insektesh të ujërave.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë në ruajtjen e trashëgimisë unike natyrore të Ujëvarave të Mirushës. Me vendosjen e këtyre tabelave, ne shpresojmë të nxisim turizëm të përgjegjshëm dhe të kontribuojmë në shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore”, tha Krenare Salihu, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Ecopana/WWF Adria në Kosovë.

Ajo sqaroi se aktiviteti për vendosjen e tabelave informuese është bërë në kuadër të projektit për pendën (digën) e Mirushës, që mbështet nga organizatat The Nature Conservatory (TNC), Open Rivers Programme (ORP), zbatuar nga Ecopana/WWF Adria në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, Komunën e Malishevës, Universitetin e Prishtinës si dhe institucionet tjera relevante.

Po ashtu më tej thuhet se penda në Mirushë ishte ndërtuar ilegalisht midis viteve 2011 dhe 2013 fillimisht për prodhim hidroenergjetik, por tani nuk shërben për asnjë qëllim.

Ndërkaq, studimet e bëra në kuadër të këtij projektit të Ecopana/WWF Adriana në Kosovë për pendën e Mirushës tregojnë se ndikimi i saj ka qenë i dëmshëm për florën e faunën.

“Gjatë vitit 2023 kemi bërë studime profesionale rreth lumit Mirusha si një nga degët e majta me të rëndësishme të Drinit të Bardhë, si dhe studime për ndikimin e pendës në biodiversitet dhe mjedis, anën hidrologjike e statike si dhe sigurinë e saj. Jemi në diskutime së bashku me MMPHI-në si dhe me Komunën e Malishevës për të marrë vendimin për zgjidhjen më të mirë të mundshme, në radhë të parë për banorët që jetojnë afër, për faunën ujore që për fat të mirë është mjaft e pasur, si dhe për mjedisin”, shtoi Salihu.

DTV

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.