Zyrtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë Ismajl Ismajli dhe Deli Halili janë vendosur nën masën një muaj paraburgim secili nën dyshimet për keqpërdorim detyre.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurve I.I dhe D.H për shkak të dyshimit se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe dy të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj për secilin.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë, thuhet në komunikatë.