Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do ta vizitojë anëtaren e NATO-s, Turqinë, për t’u takuar me presidentin Recep Tayyip Erdogan më 12 shkurt, njoftoi të mërkurën një zyrtar turk.
Kjo do të jetë vizita e parë e Putinit te një shtet anëtar i NATO-s prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.
Mundësitë e Putinit për të udhëtuar jashtë vendit janë kufizuar prej marsit të vitit të kaluar, kur Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) e lëshoi një urdhërarrest kundër tij në lidhje me dyshimet se ka dërguar fëmijë ukrainas në Rusi, që cilësohet si krim lufte.
Rusia i ka mohuar këto akuza dhe e ka cilësuar si fyerje vendimin e GJNP-së, por ka thënë se urdhërarresti është gjithsesi i pavlefshëm ligjërisht, pasi Rusia nuk është anëtare e GJNP-së.
As Turqia nuk është anëtare e GJPS-së, prandaj Putini mund të udhëtojë drejt Turqisë pa u druajtur se mund të arrestohet.
Turqia ka synuar të mbajë marrëdhënieve të mira me Moskën dhe Kievin prej se Rusia e pushtoi Ukrainën.
Ajo i ka dhënë mbështetje ushtarake Ukrainës dhe e ka ngritur zërin për integritetin e saj territorial, por edhe i ka kundërshtuar sanksionet kundër Rusisë në parim.
Ankaraja është duke u përpjekur ta bindë Rusinë të kthehet në të ashtuquajturën Iniciativa e Detit të Zi për Drithërat, nga e cila Moska u tërhoq në korrik të vitit të kaluar, duke i dhënë fund eksporteve të mbrojtura nga portet ukrainase gjatë luftës.
Erdogani ka thënë se alternativat për këtë marrëveshje nuk mund të ofrojnë zgjidhje afatgjate. /REL/