Një zyrtar policor në Leposaviq është suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, pasi i njëjti dyshohet se është i përfshirë në skandalin me drogë brenda objektit të Komunës.
Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për policin Pavle Radoviq.
Suspendimi i Radoviq erdhi pas publikimit të pamjeve ku shihen zyrtarë të komunës së Leposaviqit kanë konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të komunës.
IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”.
Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast.”, thuhet në njoftim.
IPK ka bërë të ditur se në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.