Ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi u krenuan kur mbyllën katër zyra të komunave paralele në Vranisht të Dragashit. Sipas njoftimit të ministrit Krasniqi, katër komuna paralele në Dragash kanë vepruar dhe lëshuar kundërligjshëm dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës dhe Rahovecit.
E mu atë ditë kur kjo ndodhi, ndonëse jo fizikisht, i pranishëm përmes një fotografie aty ishte edhe Edison Beçiri, këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti.
Fotografia e cila shihet në videon e publikuar nga ministri i MAPL-së, Krasniqi, shpërfaq këshilltarin e Kurtit në një ndejë mes zyrtarëve të këtij institucioni ilegal në bufenë e kësaj komune që funksionoi deri me 26 janar.
Nga Qeveria e Kosovës nuk e kanë sqaruar arsyen e kësaj vizite të Beçirit aty.
Megjithatë, masat nuk kanë munguar, ai tashmë është shkarkuar nga detyra e këshilltarit të kryeministrit Kurti. Vendimin e ka siguruar T7.
Edison Beçiri ishte emëruar këshilltar i kryeministrit Kurti me propozim të Partisë Unike Gorane të cilën e udhëheq Adem Hoxha.
Por, para se ta zinte këtë pozitë, T7 mëson se Beçiri ishte pronar i një biznesi që merrej me shitje të hamburgerëve.
Megjithatë, në foton e ndejes, ai nuk ishte i vetëm.
Shumë pranë shihet edhe Fejsal Haliloviq, nënkryetar i Komunës së Dragashit që e udhëheq Bexhet Xheladini nga LDK-ja.
I kontaktuar nga T7, Xheladini ka thënë se kjo çështje i takon organeve të sigurisë.
E pikërisht, për këtë fotografi të nënkryetarit të Dragashit, ka reaguar edhe Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje ne Sharr.
Megjithatë, nga fotografia është larguar këshilltari i kryeministrit Kurti.
Sipas njoftimit të ministrit Krasniqi, 4 komuna paralele në Dragash kanë vepruar dhe lëshuar kundërligjshëm dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës dhe Rahovecit.