“Tensionet, natyrisht që i ka për qëllim Serbia, por ne po punojmë me partnerët tanë që ato t’i parandalojmë”, tha Osmani të premten kur u pyet nga Klan Kosova se nëse ka rrezik për tensione në veri të vendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se janë në kontakt të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë në raport me çështjen e targave të makinave, konvertimi i të cilave nga ato që i lëshon Serbia në ato RKS ( Republika e Kosovës), ka afat deri më 31 tetor.
Ndërkohë për raportet me Uashingtonin, nga ku po vijnë thirrje çdo herë e më shumë që qeveria kosovare të shtyjë afatin për ndërrimin e targave, presidentja Osmani thotë se janë të forta.
“Ashtu siç e ka thënë sekretari Blinken, raportet me ShBA-në janë të palëkundura dhe ashtu do të mbesin. Ju siguroj”, shtoi presidentja.
E para e shtetit, tha se nuk ka çka t’i shtojë qëndrimeve të saj që i ka thënë në dy – tre ditët e fundit, për çështjen e targave.
“Besoj që mund të diskutoni me kryeministrin për bisedat që ai i ka pasur”, theksoi Osmani kur u pyet për t’i komentuar thirrjet e zyrtarëve amerikanë me shefin e qeverisë, Albin Kurti.
Vetë Kurti, tha se për këto zhvillime do flasë në ora katër pasdite në mbledhjen e qeverisë.