Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka shqyrtuar peticionin e Sindikatës sё Policisë sё Kosovës. Në mbledhje ka pasur edhe përplasje verbale për këtë çështje.
“Prej korrikut është ky peticion. Nuk i kuptoj gjithë këto lëvdata. Çfare keni bërë deri tani”, tha deputetja Bytyqi.
Sipas deputetes Kollçaku, opozita ndër vite ka dëgjuar kërkesat e policisë por nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.
Ndërkaq, gjatë mbledhjes i pari i sindikatës së policisë, Imer Zeqiri ngriti shqetësimet e zyrtarëve policorë sa i përket pagave e kushteve të punës. Ai tha se ka pasur zbritje të pagave deri në rreth 600 euro.
“Në këtë peticion ne kemi paraqitur pakënaqësitë e të gjithë punonjësve. Peticioni është organizuar nga sindikata për të treguar se sa është e pakënaqur Policia e Kosovës në lidhje me Ligjin e Pagave dhe kushtet tjera. Pas peticionit kemi pasur takim me ministrin e Punëve të Brendshme dhe jemi dakorduar që në takimin e ardhshëm të bisedojmë e të vendosim prioritetet”, theksoi Zeqiri.
Zeqiri me këtë rast kërkoi po ashtu që të bëhet Ligji për pensionimin e zyrtarëve policorë në moshën 55 vjeçare si dhe këta zyrtarë të bëhen me sigurime shëndetësore.