Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë si dhe për raportet bilaterale Kosovë-Turqi.
Sipas njoftimit të Presidencës, të dy palët kanë diskutuar për bashkëpunimin bilateral mes të dyja vendeve, si dhe për edicionin e sivjetmë të Forumit ndërkombëtar për gratë, paqen dhe sigurinë.
“Presidentja Osmani tha se Turqia mbetet një partnere e Kosovës dhe mbështetëse e vazhdueshme. Në këtë kontekst, Presidentja potencoi përkushtimin e Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe njohjes ndërkombëtare të saj, me ç’rast kërkoi mbështetjen e vazhduar të Turqisë”,thuhet në komunikatë.
Në takim me ambasadorin Angılı, Osmani ka theksuar edhe përkushtimin e Kosovës për thellimin e raporteve bilaterale dhe intensifikimit e bashkëpunimit ekonomik, si dhe atë në politikën e jashtme me Turqinë.