Nëntë kanale të rëndësishme të “DigitAlb”, të cilat janë reklamuar shpesh në paketat e ofruara nga kjo platformë, janë larguar përfundimisht.
Prej disa ditësh sinjali i nëntë kanaleve televizive ndërkombëtare nuk shfaqen më në këtë platformë. Kësisoj, sinjali nuk i përçohet as Telekomit, edhe pse ka paguar për këto kanale. Megjithatë, kontrata mes dy palëve përmban edhe kushte mbi mënyrën e zgjidhjes së telasheve rreth mospërmushjes së kontratës përmes penalltive të mundshme.
Siç raporton portali nga Tirana City News Albania (CNA), fillimisht u tha se mungesa e sinjalit për këto kanale televizive mjaft të rëndësishme, siç janë dy kanalet e “Eurosport”, “Discovery Channel” , TLC, Travel Channel HD, DTX, Animal Planet HD, ID Xtra HD, Discovery Science HD, u tha se ka ndodhur një defekt me sinjalin, me marrjen e tij.
Por e vërteta qëndron krejt ndryshe.
Sipas të dhënave të siguruara nga CNA, është ndërprerë sinjali i këtyre kanaleve për shkak të mungesës së një kontrate me të drejtat e pagesave të kryera nga platforma.
CNA gjithashtu ka mësuar se këto kanale nuk do të jenë tashmë pjesë e platformës së “DigitAlb” dhe ende nuk ka një informacion zyrtar, apo njoftim nga vetë këto kanale televizive dhe platforma “DigitAlb”, që cili do të jetë momenti kur ato do të rikthehen në transmetim.
Nuk është rasti i parë ku “DigitAlb” shfaqet me probleme në lidhje me të drejtat e autorit.
Sipas të dhënave që CNA po investigon, me dhjetëra kanale, filma, dokumentarë, nuk kanë siguruar të drejtën e autorit dhe nuk paguajnë për kompanitë e huaja, të cilat janë edhe mbajtëse të këtyre të drejtave, por një pjesë e madhe e tyre vidhen dhe transmetohen e shiten me paketat e ndryshme që ofron kompania.
CNA ka mundur të kryejë një vëzhgim të plotë, i cili tregon se vepra ekskluzive ndërkombëtare transmetohen pa të drejta apo vidhen dhe rastet më flagrante janë ato të filmave të ditëve apo javëve të fundit, të cilat ndodhen ende në transmetim në kinematë botërore dhe platforma “DigitAlb” i vjedh, më pas i transmeton pa pasur të drejta dhe i shet ato pa pasur një kontratë të rregullt ligjore.