Bashkimi Evropian është duke u përballur me rritje të numrit të migrantëve të ligjshëm e të paligjshëm, çka i ka detyruar disa vende anëtare që t’i rikthejnë kontrollet kufitare brenda asaj që njihet si zonë e lëvizjes së lirë – Zonës Schengen.
Rregullat e Schengenit e konsiderojnë këtë si masën e fundit për të shmangur kërcënime serioze në sigurinë e brendshme dhe politikat publike.
Austria po kryen kontrolle në kufi me Republikën Çeke, masë që skadon më 16 shkurt; me Slloveninë dhe Hungarinë deri në maj; me Sllovakinë deri më 2 prill.
Vjena e ka përmendur si arsyetim për kthim të kontrolleve, presionin në sistemin për pranim të azilit, si dhe shqetësimet për armë, kontrabandë me njerëz dhe rrjetet kriminale, të lidhura me luftën në Ukrainë.
Danimarka është duke kryer kontrolle në tokë dhe det për transitin prej Gjermanisë, deri në maj, sipas një komisioni të BE-së.
Franca i ka përmendur kërcënimet për terrorizëm, kur i ka rikthyer kontrollet kufitare me vendet tjera të Schengenit, të paktën deri më 30 prill.
Gjermania ka kontrolle kufitare në kufijtë tokësorë me Poloninë, Republikën Çeke, dhe Zvicrën, deri më 15 maj, duke e cituar rritjen e shkallës së migrimit dhe kontrabandën.
Kontrollet në kufijtë tokësorë të Austrisë do të jenë në fuqi deri në maj.
Kontrollet kufitare të Italisë me Slloveninë do të jenë në fuqi deri në qershor, pasi Roma ka thënë se migrantët që shkojnë atje, përmes Ballkanit, mund të jenë terroristë.
Norvegjia, e cila nuk është anëtare e BE-së, po është pjesë e marrëveshjes për Schengen, i ka rikthyer kontrollet në porte, ku shkojnë anijet që janë nisur prej Zonës Schengen, deri në fund të majit, duke i cituar kërcënimet në infrastrukturën e saj prej shërbimeve të huaja të inteligjencës.
Polonia ka vendosur kontrolle në pikat kufitare me Sllovakinë, deri në maj, duke i përmendur tentimet e migrantëve për të hyrë ilegalisht në këtë shtet.
Sllovenia i ka rikthyer kontrollet kufitare në pikat me Kroacinë dhe Hungarinë, deri në qershor, duke e përmendur përkeqësimin e situatës në Lindje të Mesme dhe Ukrainë, shkallën e lartë të kërcënimit për terrorizëm dhe krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor.
Suedia i ka ashpërsuar kontrollet kufitare deri në maj, duke thënë se ka penguar sulme prej kohës kur djegiet e Kuranit patën nxitur kërcënime prej militantëve islamistë.
Ndaras, Finlanda i ka mbyllur pikat kufitare me Rusinë – e cila nuk është pjesë e Schengenit – deri në prill, si përgjigje ndaj rritjes së numrit të azilkërkuesve prej vendeve të treta, duke thënë se këto veprime janë orkestruar prej Moskës.
Kremlini, në anën tjetër, i hedh poshtë këto akuza.