Për shkak se do të dëgjohet dëshmitari anonim A1, është mbyllur për publikun seanca e së premtes në rastin ku Lavdim Sllamniku po akuzohet për shpërlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.
“E kemi kërkesën në start që me qenë anonim edhe ndaj publikut… se është prej kërkesës mandej edhe urdhri është lëshu ashtu”, tha gjykatësi Konxheli.
I akuzuari Sllamniku në seancën e 25 tetorit 2023 kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, ndërsa ishte deklaruar i pafajshëm për shpërlarje parash.
Në këtë rast, akuzohen edhe Florim Laçi, Hamëz Limaj, Arment Orana, Shabedin Reka dhe Avdush Qukovci, të cilët në seancën e 25 tetorit 2023 e kanë pranuar fajësinë lidhur me veprat penale me të cilat ngarkohen.
Sipas aktakuzës së PRSK-së, të ngritur më 3 qershor 2022, Florim Laçi, Hamëz Limaj, Arment Orana, Shabedin Reka, Avdush Qukovci dhe Lavdim Sllamniku, akuzohen për “Shpërlarje të parasë”. Të akuzuarit Reka, Orana dhe Qukovci ngarkohen edhe për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”. Kurse, të akuzuarit Osana dhe Sllamniku ngarkohen edhe për “Armëmbajtje pa leje”.