Gjuriq: Jemi një hap afër izolimit ndërkombëtar të Kosovës

Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, ka thënë se Serbia, me performancën e delegacionit të saj në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është një hap afër izolimit ndërkombëtar të Kosovës.

Gjuriq, në një intervistë për “Veçernje Novosti” të mërkurën, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me performancën e tij, “para së gjithash duke paraqitur makinacionet e veta dhe konstruksionet e rrejshme të realitetit, tani dhe mbarë botës i ka treguar fytyrën e tij të vërtetë”.

“Ne kemi të gjitha arsyet për të qenë krenarë për fjalimin e presidentit Vuçiq para forumit më të rëndësishëm të OKB-së, sepse ishte fjalimi i tij ai që ndezi alarmin e kuq edhe për përfaqësuesit e anëtarëve të OKB-së që njohin të ashtuquajturën Kosovë – pra jo vetëm përfaqësuesit e vendeve që nuk e njohin – u deklaruan hapur për mbrojtjen e të drejtave të serbëve dhe kështu u rreshtuan në anën e Serbisë”, ka thënë Gjuriq.

Gjuriqi pret që në periudhën e afër të shohë gjëra konkrete, siç thotë ai, dënimin e Kosovës dhe Kurtit përmes mekanizmave të gjerë të sanksioneve.

Ai vlerësoi se është shumë domethënëse që një numër kaq i madh i anëtarëve të OKB-së, me kërkesë të Serbisë, “iu përgjigjën ftesës dhe morën pjesë në diskutim, duke shprehur qëndrim negativ ndaj veprimeve të palës prishtinase”.

“Si dokument zyrtar i organit të lartë të OKB-së, Rezoluta 1244 nuk mund të kontestohet kurrë, sepse ajo u miratua nga anëtarët e OKB-së si organizata më e rëndësishme ndërkombëtare. Ne u jemi mirënjohës miqve tanë tradicionalë (Rusisë dhe Kinës) , si dhe shumë vendeve të tjera që në fjalimet e tyre bënë thirrje për respektimin e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244”, ka thënë Gjuriq.

Ai ka thënë se presidenti i Serbisë ka kthyer çështjen e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.

“Ne patëm mundësinë të dëgjojmë shqetësimin serioz të 13 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të vendimit të fundit të Kurtit për ndalimin e dinarit, si dhe dënimin e kësaj lëvizjeje nga katër nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka shtuar ai.

Gjuriq pritet të largohet nga pozita e ambasadorit të Serbisë në SHBA, pasi pritet të emërohet ministër i Jashtëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.