Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë që Banka Qendrore e Kosovës e ka publikuar planin e veprimit për tre muajt e ardhshëm i cili lehtëson procedurat financiare tash që lejohet përdorimi vetëm i valutës euro.
“Me këtë plan veprimi BQK-ja nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese përveç masave lehtësuese të lartpërmendura me qëllim që qytetarët të kenë qasje sa më të lehtë në financa dhe shërbime financiare”.
Sipas Kusari-Lilës, dinari mund të përdoret sikurse çdo valutë tjetër e huaj në Kosovë.
“Në debatin që është krijuar para dhe pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje është krijuar përshtypja sikurse Kosova ka ndaluar qarkullimin e dinarit serb në Republikën e Kosovë. Kjo nuk është e vërtetë pasi me këtë rregullore dinari mund të posedohet dhe përdoret sikurse çdo valutë tjetër e huaj në Republikën e Kosovës, pra njëjtë siç përdoret dollari amerikan, funta britanike, leku shqiptar, frangu zviceran apo valuta tjera”, ka thënë Kusari-Lila.