Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se politikanët e dështuar e kërcënojnë botën demokratike me eskalim të situatës.
Sipas tij, këtë e bëjnë për t’i mbuluar dështimet e tyre.
“Kosova kurrë nuk i ka kontribuar eskalimit të situatës. Të drejtat e veta i ka realizuar duke i bindur aleatët për mbështetje e duke bërë rezistencë në mbrojtje të pragut të shtëpisë. Historikisht, gjithandej nëpër botë, politikanët e dështuar kërcënojnë botën demokratike me eskalim të situatës për të mbuluar dështimet e tyre”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Kështu është shprehur ai pas kritikës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ndaj emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për qasje jo të drejtë në procesin e normalizimit.
Bislimi ka reaguar pasi Lajçak të martën në një postim shkroi për një takim me përfaqësues të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (NCEU), por nuk tregoi se ishte NCEU e Serbisë.
Po ashtu Bislimi ka thënë se Lajçak nuk ka përmendur se në kuadër të delegacionit me të cilin ishte takuar ishin kryesisht përfaqësues të OJQ-ve nga Kosova, “të cilët në mënyrë aktive dhe të hapur avokojnë kundër integrimit të qytetarëve serbë në jetën ekonomike dhe sociale të Kosovës”.