Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien do të vizitojë sot Malin e Zi.
Më pas, është paralajmëruar një takim i dialogut ekonomik malazezo-amerikan.
Zyrtari i lartë amerikan i cili sot viziton Malin e Zi, në një intervistë dhënë ditë më parë për Zërin e Amerikës “deklaroi se SHBA-ja është e shqetësuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.
O’Brien deklaroi mes tjerash se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien.
“Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin, thotë zyrtari i lartë amerikan. Ndonëse Shtetet e Bashkuara e kishin këshilluar qeverinë e Kosovës kundër një veprimi të tillë, ajo vendosi ta zbatojë atë, pa konsideruar këshillat e partnerëve kryesorë”, shtoi ai.
I pyetur lidhur me marrëdhëniet Kosovë Serbi që pas marrëveshjeve të Ohrit, O’Brien tha se zbatimi i tyre, i përket secilës palë të ndërmarrë veprimet e veta, e pakushtëzuar nga pala tjetër. Serbia tha ai, ka marrë dy hapa të rëndësishëm drejt njohjes de-fakto të Kosovës, si çështja e targave dhe dokumenteve doganore.