Telekomi i Kosovës e ka cilësuar antiligjor dhe të dëmshëm aktvendimin e Gjykatës Komerciale për kontestin nga vendimi i Arbitrazhit të 2016-s me kompaninë “Dardafon/Zmobile”, duke thënë se sipas këtij vendimi, hapen rrugë për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit “dhe grabitjen e shumës prej mbi 5.7 milionë € të tjera”.
Në një komunikatë për media, Telekomi ka thënë se vendimi i shkallës së parë të Komerciales u bë në mënyrë të padrejtë dhe abuzive nga gjyqtari Hasan Kryeziu, duke theksuar se ky vendim u mor duke mos respektuat aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
“Gjatë kohë që Telekomi i Kosovës po e priste ftesën për mbajtjen e seancës përgatitore dhe për zgjedhjen e institucionit që do ta bënte ekspertizën financiare, sipas direktivave të Dhomave të Shkallës së Dytë, siç kërkohet nga neni 199 i LPK-së, me datën 16.02.2024, e pranuam Aktvendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, i marrë në të njëjtën ditë dhe në mënyrë tërësisht abuzive nga gjyqtari i çështjes, pa u mbajtur asnjë seancë ku palët do të mund t’i paraqitnin pretendimet dhe provat e tyre dhe pa e caktuar fare ekspertizën financiare siç kërkohet në Vendimin e Shkallës së Dytë”, thuhet në komunikatë.
Telekomi ka shtuar se duhen të ndërmerren veprime urgjente për të parandaluar krimin financiar, derisa ka potencuar se ky vendim ka elemente të qarta kriminale. ai ka paralajmëruar se ndaj këtij vendimi mund të bëhet ankesë në shkallën e dytë, por që kjo s’mund ta ndalojë ekzekutimin e tij.
“Në ndërkohë, me të gjitha provat dhe faktet e paraqitura në Gjykatë, është vërtetuar se Telekomi i Kosovës e ka paguar shumën prej mbi 40 milionë € në emër të vendimit të Arbitrazhit, ndonëse obligimi nga Vendimi i Arbitrazhit ishte për rreth 27 milionë €. Kështu, deri tani Telekomi i Kosovës, në mënyrë të dhunshme, është detyruar të paguajë mbi 13 milionë € më tepër. Sipas aktvendimit në fjalë, plaçkitja e shumës prej 5.7 milionë € rezulton të jetë një pagesë e tepërt, mbi 19 milionë € më e lartë se shuma e obliguar sipas Vendimit të Arbitrazhit”, thuhet tutje në reagim.
Telekomi ka shtuar se pas rigjykimit të çështjes në shkallë të dytë, vendimi do të jetë në favor të tij pasi “s’ka si të jetë ndryshe”.
Paratë e Telekomit, që do të derdhen në llogaritë bankare të “Dardafon”, mund të transferohen menjëherë jashtë vendit.
“Gjyqtari i rastit në vendimin e tij përpiqet të manipulojë me qëndrimin e Telekomit të Kosovës se kinse Telekomi po e mohon lartësinë e detyrimit të vendimit të arbitrazhit. Kjo s’është aspak e vërtetë dhe mund të vërtetohet në të gjitha shkresat e lëndës. E vërteta është se Telekomi jo vetëm që e ka njohur lartësinë e obligimit të dalë nga arbitrazhi, por edhe ka paguar mbi 13 milionë € më tepër. Për këtë mbipagesë Shkalla e Dytë me të drejtë ka kërkuar që të bëhet ekspertizë financiare nga ndonjë kompani e licencuar e auditimit. Prandaj themi se vetëm ekspertiza financiare e vendos drejtësinë në këtë çështje. Ne besojmë fuqishëm që në rigjykimin e Shkallës së Dytë ‘Dardafon’ do të detyrohet t’ia kthejë Telekomit paratë e tepërta të marra padrejtësisht. Por atëherë do te jetë tepër vonë, sepse llogaritë e Dardafonit mund të jenë të zbrazura. Pra, Telekomi do ta ketë në dorë vendimin e gjykatës, që i jep të drejtën e kthimit të parave, por paratë mund të jenë në posedim të fshehtë të pronarëve të ‘Dardafon’”, thuhet në komunikatë.