Për shkak se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani ka kërkuar kohë të caktimin e një avokati tjetër, ka dështuar përsëri të mbahet të martën seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku i njëjti akuzohet për hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvend.
I akuzuari Ramadani tha se të premten është njoftuar nga avokati i tij i mëhershëm (Naser Sopjani) që e ka revokuar autorizimin për ta përfaqësuar në këtë çështje
“Unë e kom marrë një njoftim prej avokatit të premten, që e ka revoku, unë kisha kërku një avokat, ta gjej një avokat tjetër”, tha Ramadani.
Ramadanit për seancën e sotme i ishte caktuar avokatja Sahadete Gashi, sipas detyrës zyrtare.
“E keni caktu, po unë kom menu që ai vjen (Sopjani), po nuk është që kam mujt me kontaktu shumë ma herët…”, tha ai, duke kërkuar që të shtyhet seanca për të caktuar një tjetër mbrojtës.
Më pas, gjykatësja Anita Krasniqi-Prenaj aprovoi kërkesën e të akuzuarit Ramadani, për shtyrjen e kësaj seance, ashtu që i njëjti të ketë mundësi të angazhojë një mbrojtës të ri.
Gjithashtu, edhe seanca e 22 janarit 2024 kishte dështuar, pasi në atë seancë kishte munguar avokati Naser Sopjani.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, e ngarkon Ramadanin për dy vepra penale dhe atë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” si dhe për “Pengim të personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”.