Kusari-Lila për dinarin: Është çështje e Kosovës, komunikimi me SHBA-në vazhdon

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke folur në lidhje me dinarin serb ka thënë se BQK-ja ka marrë vendim si institucion i pavarur.

Në një deklarim për media, Kusari-Lila është shprehur se me aleatët ndërkombëtarë kanë pajtueshmëri për përmbajtjen e rregullores së BQK-së, por dallimet e vetme janë në aspektet kohore të zbatimit.

Ajo tutje ka thënë se koordinimi e komunikimi me ndërkombëtarët është duke vazhduar, por se çështja e dinarit i takon Kosovës dhe zbatimit të Kushtetutës.

“Besoj se ka qenë mjaftueshëm e theksuar gjatë gjithë deklarimeve, në veçanti këto të 16 vjetorit të pavarësisë, që të gjithë krerët shtetërorë e shohin si të veçantë dhe të përhershme bashkëpunimin dhe partneritetin me SBBA-në dhe vendet të tjera mike, që i ndihmuan Kosovës në periudhën e çlirimit, shpalljes së pavarësisë dhe shtet-ndërtimit”.

“Në këtë pikë mund të them se koordinimi dhe komunikimi po vazhdon me ta. Janë disa çështje të cilat, si në rastin e rregullores së BQK-së në të cilat nuk ka pasur dallime në parime, por ka pasur dallime në afatet kohore të zbatimit apo implementimit…Komunikimi vazhdon me ShBA-në dhe vendet të tjera, por konsiderojmë se është çështje e Kosovës dhe zbatimit të Kushtetutës”, ka theksuar Kusari-Lila.

Këto komente ajo i ka bërë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila dështoi për shkak të mungesës së kuorumit. Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka caktuar të enjten seancën plenare, me pika të papërfunduara nga seancat e kaluara.

Leave a Reply

Your email address will not be published.