Më ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Finlandës, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka qëndruar në Finlandë, ku është pritur në takim nga ministri i Mbrojtjes, Antti Hakkanen. Në këtë takim, ministri Maqedonci e njoftoi homologun e tij finlandez rreth zhvillimeve të fundit të sigurisë në regjionin e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë rreth sigurisë në Republikën e Kosovës dhe kërcënimeve me të cilat po ballafaqohet vendi ynë. Gjithashtu, ai e informoi rreth zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe nevojës për mbështetje nga partnerët në këtë kohë kur demokracia dhe siguria globale po cenohet nga qasja hegjemoniste e akterëve autokratik.
Gjatë takimit, ata diskutuan edhe për nevojën e vazhdimit të mbështetjes së luftës së drejtë të popullit të Ukrainës si dhe mundësitë për bashkëpunimin në mes të vendeve tona në fushën e industrisë së mbrojtjes. Gjatë vizitës në Ministrinë e Mbrojtjes së Finlandës, ministri Maqedonci zhvilloi takime edhe me Drejtuesit e Drejtorisë së Politikave të Mbrojtjes dhe Burimeve Materiale.
Po ashtu, ministri Maqedoni dhe delegacioni i tij në MM, vizituan edhe Qendrën e Eksellencës së NATO-s dhe BE-së për kërcënimet hibride (Hybrid CeO), ku me drejtoreshën e kësaj Qendre diskutuan mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim përballimin me kërcënimet hibride.