Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është në pritje të raporteve finale sa i përket vdekjes së katërvjeçares në Gjakovë, për të cilën familjarët akuzojnë mjekët se ka vdekur nga neglizhenca e tyre në spitalin e Gjakovës.
Ai tha se ka kërkuar raporte nga SSSKUK-ja e nga Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë për lëshime eventuale. Ai tha se pa i parë këto nuk mund të japë më shumë detaje.
Vitia tha se pas këtij informacioni, Inspektorati i Shëndetësisë ka dalë në terren dhe së bashku me institucionet përgjegjëse janë duke punuar në zbardhjen e këtij rasti.
“Natyrisht, na ka prekur të gjithëve sepse është një rast shumë i rëndë dhe jemi jashtëzakonisht shumë të pikëlluar. Me të marrë vesh kam kërkuar menjëherë te drejtoria e SHSKUK-së raporte nga Spitali i Përgjithshëm i “Isa Grezda’ në Gjakovë dhe nga të gjitha institucionet e nivelit sekondar dhe terciar që kanë trajtuar vajzën katërvjeçare. Në të njëjtën kohë Inspektorati i Shëndetësisë ka dalë në këto institucione dhe është edhe sot aktiv në këtë drejtim dhe të njëjtin kohë po presim raporte e fundit nga ekspertiza mjeko-ligjore për të dhënë pastaj edhe për të pasur të gjitha informacionet e sakta në fund. Për momentin natyrisht çkado që mund të them mund të gaboj sepse pa raportet që i përmenda dhe pa ekspertizën mjeko-ligjore, por edhe hetimet nga njësia hetuesisë dhe prokuroria nuk mund të përgjigjem nëse ka pasë diçka në këtë drejtim”, tha Vitia para mediave.
Vdekja e një vajze katërvjeçare nga Gjakova të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka shkaktuar reagime të shumta në vend. Policia e Prokuroria kanë nisur hetimet për rastin, derisa familjarët kanë akuzuar mjekët për neglizhencë.
Pas dyshimeve të ngritura nga prindërit se personeli mjekësor e ka neglizhuar rastin e vajzës së tyre duke shkaktuar fatalitet, nga Spitali i Gjakovës kanë thënë se kanë ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK.
“Në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmijës (4 vjeçar), fillimisht ju njoftojmë se më datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun, fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirurgjisë”, thuhet në reagimin për media.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet. Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashkëndjejmë me familjen”, bëhet e ditur më tej në reagimin e spitalit.
Ndërkaq Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës, ka bërë të ditur se katërvjeçarja nga Gjakova, ka vdekur si pasojë e Sepsës, infeksion i shkallës së lartë.
“Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë). Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024”, u tha në komunikatën e QKUK-së dhe ShSKUK-së.
ShSKUK dhe QKUK kanë deklaruar se nga Spitali i Gjakovës, është kërkuar raporte të detajuara të cilat do të shqyrtohen.
“ShSKUK, apelon që në publik, mos të spekulohet në lidhje me shkaqet e vdekjes së pacientes, deri në rezultatet e hetuesisë, të cilat do të merren parasysh edhe nga ShSKUK për veprime të mëtejme”, theksohet në komunikatën për media.
Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës ka dhënë edhe detaje tjera rreth trajtimit të katërvjeçares.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës, në lidhje me trajtimin mjekësor të 4 vjeçares nga Gjakova, sqaron, se e njëjta ka kërkuar ndihmë mjekësore, rreth orës 15:00, të datës 17 shkurt 2024, në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Pacientja sjellët nga Spitali i Gjakovës, si rast i intubuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së, me parametra vital dhe me gjendje mjaftë të rënduar shëndetësore. Në Qendrën Emergjente të QKUK-së, kryhen të gjitha analizat laboratorike dhe ato diganostike – radiologjike, thirrën në konsultë edhe mjekët e lëmenjve përkatëse”, u tha në komunikatë.