“Që nga dita e parë kur filloi qeverisjen në Prishtinë, qëllimet e tij shiheshin në mendjen dhe veprimet e tij. Në këtë kuptim, reagimi i popullit serb dhe i Listës Serbe është normal dhe kjo më së miri pasqyrohet në paralajmërimin që dërguam para disa ditësh”, citohet të ketë thënë Simiq.
Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe, me rastin e skadimit të afatit për riregjistrim të veturave nga serbët në Kosovë ka thënë se “është e qartë se Kurti nuk ka ndërmend të heqë dorë nga plani”.
Madje, sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “dëshiron të cenojë paqen në mënyrë më të drejtpërdrejtë, krijojë tensione…”, për TV Pink.
Siç mendon Simiq, nuk ka asnjë serb që është i gatshëm të heqë dorë vullnetarisht nga shteti i tij Serbia, e as të zëvendësojë targat e tij të lëshuara nga Serbia.
“Në këtë kuptim, reagimi dhe përgjigja është shumë e qartë. Vendosja e gjobës së parë do të jetë arsyeja e një reagimi të ashpër ndaj planit të Kurtit për t’i hequr të drejtën serbëve, për t’u konfiskuar pronat e tyre dhe për t’iu mohuar të drejtën e lëvizjes së lirë”, ka thënë më tej Simiq.
Ndryshe, masat e reja për targat hyjnë në fuqi nga data 1 nëntor, kurse me qëndrimin e ri qeveritar, deri më datë 21 të këtij muaji do të vlejë vetëm masa e qortimit.
Ndërkohë që nga 21 nëntori e deri më 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobitjes dhe nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese.