Deputetja nga radhët e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se gratë në politikë duhet të kërkojnë me ngulm përfshirjen dhe në politikat e sigurisë.
“Si pjesë e panelit me temë “Roli i parlamentit dhe agjenda GPS” theksova se agjenda Gratë, Paqja dhe Siguria është një nga agjendat më të rëndësishme globale aktualisht. Megjithëse Kosova është shtet akoma i ri, në të cilin ka akoma shumë punë drejt konsolidimit, ka arritur që për një kohë jashtëzakonisht të shkurtër të bëjë një kapërcim jashtëzakonisht të madh në avansimin e përfaqësimit gjinor në nivel politike, ekonomik dhe në çështjet e sigurisë”, ka thënë Musliu-Shoshi.
Ndërsa ka pohuar se gratë në politikë duhet të marrin rol shumë më aktiv, në politikbërjen në vendet e veta.
“Gratë në politikë duhet të marrin rol shumë më aktiv në politikbërjen në vendet e veta. Pa e zbehur rëndësinë e arsimit e shëndetësisë, dikastere të cilat me shumë lehtësi iu besohen grave, është koha që gratë të kërkojnë me ngulm përfshirjen edhe në politikat e sigurisë. Rëndësia e implementimit të kësaj agjende është jetike edhe për të tejkaluar problemet aktuale dhe për të krijuar një të nesërme me paqe të qëndrueshme”, ka thënë Musliu-Shoshi.