//

Kurti nënshkruan marrëveshje prej 400 milionë euro me BERZH-in

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Qeveria e Kosovës po forcojnë bashkëpunimin e tyre me qëllim që të ndihmojnë institucionet e qeverisë për të mbështetur përmirësimin e infrastrukturës, tranzicionin e ekonomisë së gjelbër, integrimin rajonal dhe sektorin privat.

BERZh njofton se vlera kumulative e këtyre projekteve të mundshme, të cilat janë në përputhje me strategjinë e BERZH-it për Kosovën, vlerësohet të arrijë rreth 400 milionë euro në periudhën deri në vitin 2027.

Në komunikatë thuhet se presidenti i BERZH-it, Odile Renaud-Basso dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi në margjinat e Samitit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor 2024, për të ofruar një kornizë për këtë bashkëpunim.

“Si pjesë e marrëveshjes, BERZH dhe qeveria e Kosovës kanë identifikuar disa projekte prioritare në fushat me rëndësi kyçe, duke përfshirë infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, projektet e menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbetjeve të ngurta, energjinë e rinovueshme dhe telekomunikacionin”, thuhet në njofttim.

Ndërkohë, sipas komunikatës bashkëpunimi i mundshëm për të mbështetur një sektor privat më konkurrues dhe gjithëpërfshirës do të synojë zhvillimin e produkteve financiare të përshtatura dhe reformën e politikave.

Ndihma teknike mund të ofrohet gjithashtu për të përmirësuar klimën e investimeve dhe qeverisjen ekonomike në vend. Presidenti i BERZH-it, Odile Renaud-Basso tha: “Kosova përballet me nevoja të rëndësishme që përfshijnë sektorin publik dhe privat dhe ne synojmë t’i mbështesim ata në çdo hap të rrugës. Ne kemi objektiva ambicioz në shumë fusha që mund të përmbushen përmes një partneriteti të fortë dhe të suksesshëm me qeverinë. Kjo marrëveshje nënvizon synimin tonë për të përmbushur objektivat tona kryesore strategjike në Kosovë”.

“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha: “Qeveria jonë është e përkushtuar për të mbyllur boshllëqet infrastrukturore në Kosovë dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik. Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar sot tregon përkushtimin tonë për rritjen e investimeve në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë transportin, mjedisin dhe energjinë, të cilat do të çojnë në rritje të përshpejtuar ekonomike dhe përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët tanë”, citohet Kurti në komunikatë.

BERZH pati një vit të fuqishëm në Kosovë në vitin 2023, duke investuar 81 milionë euro përmes 16 projekteve, me pothuajse gjysmën e financimit të drejtuar për projektet e gjelbra. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve është zotuar për adresimin e nevojave të sektorit publik në Kosovë, me 20 milionë euro për ndërtimin e një impianti të ri për trajtimin e ujërave të zeza në qytetin e Ferizajt për parandalimin e ndotjes dhe uljen e emetimeve të gazeve serrë. Deri më sot, BERZH ka investuar pothuajse 680 milionë euro në Kosovë përmes mbi 100 projekteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.