Kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq ka thënë pas takimeve të së martës në Bruksel për çështjen e dinarit në Kosovë, se kryeministri i Kosovës “Albin Kurti synon t’i shuajë institucionet që duhet të jenë themel i Asociacionit të komunave me shumicë serbë”.
“Ne jemi këmbëngulës në gjetjen e një zgjidhjeje që serbët të marrin rrogat dhe pensionet… Nëse Kurti ndalon transportin e dinarëve dhe pengon funksionimin e Bankës së Kursimeve Postare, lind pyetja se si do t’i tërheqin njerëzit. Kjo është arsyeja pse ne duhet të gjejmë një zgjidhje që është e qëndrueshme dhe nuk do të kërcënojë mbijetesën e popullit në Kosovë. Gjithçka që bën Kurti tregon qartë se ai nuk dëshiron të formojë Asociacionin”, thotë Petkoviq.
Ndryshe, në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët në mes të ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
Rezultatet nga ky takim nuk janë ende të qarta.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.
Sipas BE-së, ky vendim ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb, dhe me këtë valutë kanë marrë ndihmë nga Serbia.
Para takimit trepalësh, Lajçak u takua me delegacionin serb, të udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq. Më pas, emisari evropian u takua me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.
Kosova nuk ka dashur që në këtë takim të dërgojë nivel politik, sepse beson se çështja e rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme nuk duhet të jetë temë e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.