Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të kryeministrit Edi Rama të Shqipërisë, ka udhëtuar për Tiranë për ta përfaqësuar Kosovën në Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore.
Në këtë Samit, Presidentja Osmani do të jetë krahas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe liderëve të tjerë nga Evropa Juglindore.
Në dy vjetorin e fillimit të luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, Samiti synon të riafirmojë angazhimin e përbashkët të shteteve të Evropës Juglindore për mbështetje ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Nga ky samit, parashihet t`i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën, si dhe të diskutohet ndihma konkrete e shteteve të EJL-së për Ukrainën.