Nis protesta kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për rastin e Marigona Osmanit

Ka filluar protesta para Pallatit të Drejtësisë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit për ta kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

Kjo protestë është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Vendimin e Gjykatës së Apelit, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist e ka quajtur si të pa qartë dhe jo të plotë.

Me vendimin e publikuar më datë 23 shkurt të vitit 2024,  Gjykata e Apelit ka kthyer çështjen ne zero duke rrëzuar aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajt. Me këtë aktgjykim Dardan Krivaça ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërsa Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes.

Kujtojmë së me datë 22.08.2021 trupi i pajetë i 18-vjeçares Marigona Osmani, ishte dërguar në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt nga dy persona, të cilët më pas ishin larguar nga aty.

Ndërsa, dy ditë pas ngjarjes, Policia kishte arritur ta arrestonte të dyshuarin kryesor për kryerjen e kësaj vepre, Dardan Krivaçën dhe ndihmësin e tij në kryerjen e veprës, Arbër Sejdiu.

Leave a Reply

Your email address will not be published.