Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”, dëshmitarja Shqipe Mehmeti-Selimi, e cila ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka thënë se ajo gëzon statusin e veteranes luftëtare dhe e mban me krenari.
Mehmeti-Selimi tha se pyetja se a ka qenë luftëtare është shumë e çuditshme, pasi që këtë e dinë jo vetëm kolegët e saj, por e gjithë Kosovë.
“Kjo pyetje pak për mu është e çuditshme sepse jo vetëm që këta kolegët e mij që e dinë, por e di e gjithë Kosova që unë kam qenë ushtare e UÇK-së dhe luftëtare dhe krenare”, tha dëshmitarja Mehmeti-Selimi.
Fillimisht, dëshmitarja Mehmeti-Selimi ka pohuar se ka qenë pjesë e UÇK-së në zonën e Drenicës nga muaji maj 1998 deri në përfundim të luftës.
Ajo tha se deri në dhjetor të vitit 1998 kishte qenë në zonën e Drenicës, kurse më pas kishte kaluar në zonën operative të Karadakut, e armatosur rëndë me kallash dhe me një pistoletë.
Dëshmitarja shtoi se në kohën e angazhimit në luftë kishte qenë 14-vjeçe dhe aplikacionin për njohjen e statusit të veteranit e kishte plotësuar personalisht.
Dëshmitarja Mehmeti-Selimi tha se sot gëzon statusin e veteranit luftëtar dhe e mban me krenari, duke shtuar se beneficionin e statusit të veteranit dhe përfitimin e kishte gëzuar në një periudhë njëvjeçare kur kishte qenë e pa punë, kurse në momentin që është punësuar është ndalë.
Tutje, ajo tha se është ndjerë keq kur ka pranuar ftesën që të vijë në cilësi të dëshmitares.
“Fillimisht kur e mora ftesën me ardhë në rastin e veteranëve si dëshmitare, u niva keq dhe u niva edhe më keq që kur erdha sot se e pash poshtë gjykata për krime të rënda, dhe unë s’du me pa asnjërin nga bashkëluftëtarët e mi që vijnë këtu për krime të rënda aq më pak për statusin e veteranit”, tha në fund dëshmitarja Mehmeti-Selimi.
Më pas, seanca ka vazhdar me dëgjimin e dëshmitarit Fidan Thaqi, i cili ka pohuar se ka qenë në luftë nga viti 1998 deri në përfundim.
Ai tha se në atë kohë ka qenë 17-vjeçar, ka qenë i pajisur me tipin e armës “kallashnikov” dhe ka qenë i uniformuar e që sot gëzon statusin e veteranit.
Kurse, dëshmitari Ardian Veliqi po ashtu ka pohuar se ka qenë në luftë nga viti 1998 deri në përfundim të luftës në Brigadën 112.
Ai tha se fillimisht kishe pasur armë të shkurta pasi që ka qenë i angazhuar në pjesën e qytetit të Skenderajt, kurse pasi që kishte dalë në teren ishte pajisur me armë të gjata.
I njëjti tha se në kohën e angazhimit kishte qenë 16-vjeç por që kishte gënjyer kinse ka 18-vjeç nga frika që nuk do ta marrin si pjesëtar të UÇK-së, duke shtuar se sot gëzon statusin e veteranit.
Shqipe Mehmeti-Selimi nis dëshminë në rastin “Veteranët”
Prishtinë- Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”, ka filluar dëshminë dëshmitarja Shqipe Mehmeti-Selimi, e cila ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe njëherësh është bashkëshortja e Rexhep Selimit.
Aktualisht, Mehmeti-Selimi është deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për këtë rast, më 21 dhjetor 2023 ka dëshmuar ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.
Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.
Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.
Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.
Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.