Punëtorët teknikë të Qendrës së Studentëve kanë ndërprerë grevën që e nisën dy javë më parë, duke kërkuar paga më të larta.
“Pas bisedimeve të vazhdueshme të menaxhmentit me stafin e kompanisë së pastrimit, kemi arritur mirëkuptimin për ndërprerjen e grevës e cila ka filluar tash e disa ditë. Falënderojmë punëtorët për angazhimin dhe punën e tyre të jashtëzakonshme që ambientet e Qendrës së Studentëve të jenë sa më të pastërta”, ka njoftuar Qendra e Studentëve (QS) për grevën që nisi më 16.02.2024.
QS ka shtuar se do të punojnë së bashku për paga më të dinjiteshme, duke marrë parasysh punën e tyre të palodhshme.
“Po ashtu falënderojmë gjithë studentët banues në konvikte për mirëkuptimin e treguar për këto ditë”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, greva e rreth 250 punëtorëve të UP-së është ende duke vazhduar. Ata po kërkojnë pagë më të lartë pasi paga që marrin, në vlerë 300 euro, sipas tyre, nuk i plotëson nevojat e tyre. Këtë e konfirmoi Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
Azemi së bashku me punëtorët teknikë të Qendrës së Studentëve janë takuar më 29.02.2024 me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Qendrës së Studentëve, Ekrem Rudarin. Jusuf Azemi kishte pasur pretendime se punëtorët grevistë janë duke pasur presion nga drejtuesit e kompanive për ta ndalur grevën. Inspektorati i Punës e ka konfirmuar më 28.02.2024 se është duke inspektuar rastin.