Ikja e punëtorëve nga Kosova tashmë është bërë fenomen i përditshëm.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka ngritur shqetësimin për largimin nga vendi të zyrtarëve komunalë.
Ibrahimi për DTV-në tha se ky shqetësim ka filluar të ngrihet nga shumica e komunave.
“Gjatë kësaj periudhe edhe komunat janë duke u ballafaquar me problemin e largimit nga puna të specialistëve të fushave të ndryshme, por edhe zyrtarë komunalë. Shumë zyrtarë komunalë, sidomos ata të specializuar në fushat e inxhinierisë, gjeodezisë inspektorateve komunale, janë duke marrë vendime për ndërprerjen e kontratave të punës”, ka thënë Ibrahimi.
Sipas Ibrahimit, problemet kryesore janë pagat e ulëta.
“Arsyet kryesore janë të ardhurat personale, të përcaktuara me ligjin e pagave dhe për shkak të fillimit të zbatimit të ligjit për zyrtarët publikë. Këta zyrtarë të fushave të ndryshme janë duke u ankuar që me pagat ekzistuese nuk po mund t’a dalin deri në fund të muajit. Ata vlerësojnë se këto paga duhet të rriten dhe që pagat e tashme nuk janë të dinjitetshme dhe meritore për punën dhe angazhimet e tyre në komuna”, tha ai.