E për 26 vjetor, krerët e shtetit e anëtarë të familjes Jashari e vizituan edhe kazermën “Adem Jashari”. Ushtarët kosovar i kënduan këngën komandantit legjendar Adem Jasharit, derisa djali i tij Lulzim Jashari për herë të parë foli para ushtrisë dhe pati disa mesazhe për ta.
Komandantit Legjendar, Adem Jasharit po i këndohet në kazermën që mban emrin e tij.
Për të nderuar sakrificën e familjes Jashari, në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, parakaluan ushtarët në krye me komandanten supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vjosa Osmani. Përveç krerëve shtetëror, këtë kazermë e vizituan edhe anëtarët e familjes Jashari, ministra e deputetë të Kuvendit të Kosovës.
E para e shtetit edhe në këtë ditë përmendi sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, duke theksuar se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm.
Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti tha se me këtë ushtri çdo ditë po afrohemi drejt NATO-s.
Sipas kryeministrit, paqja dhe padrejtësia s’mund të bashkëjetojnë.
E të gjithë ngjarjen, e përcolli në këmbë djali i komandantit, Adem Jashari, Lulzimi.
Për herë të parë, në këtë 26 vjetor Jashari iu drejtua ushtarëve kosovar me disa mesazhe.
Gjatë kësaj ceremonie, krerët e shtetit bashkë me Rifat Jasharin bënë homazhe pranë Obeliskut të UÇK-së në kazermën Adem Jashari.