/

“Edhe Albin Kurti ka shti me t’njofshëm, pse unë jo”, kështu e arsyeton drejtori i Arsimit në Obiliq punësimin e gruas së djalit të tij

Drejtori i Arsimit në Komunën e Obiliqit, Sahit Zeqiri, punësoi gruan e djalit të tij, Fitore Jusufi – Zeqiri, si sekretare të shkollës “Ibrahim Rugova”, në Obiliq.

Konkursi dyshohet se u kurdis, pasi pati vetëm tre kandidatë në testin me shkrim. Përveç rejës së drejtorit, Fitore Jusufi – Zeqiri, konkurroi edhe kunata e saj, bashkëshortja e vëllait, Fortesa Haziri – Jusufi, dhe Samire Arifi.

Kjo e fundit u eliminua nga gara qysh në fazën e parë, atë të testit në shkrim, duke bërë që gara për pozitën e sekretares të zhvillohet vetëm mes dy kunatave Jusufi.

Komisioni vlerësues zgjodhi sekretare Fitoren, rejën e drejtorit.

Ekipi ka shkuar në zyrën e drejtorit Zeqiri, për të marrë versionin e tij se si arriti reja e tij të zgjidhet sekretare në konkursin e hapur nga drejtoria që ai e udhëheq.

Para kamerës Zeqiri ishte i përmbajtur, por jo edhe prapa saj.

Zeqiri tha se për 41 vjet sa është në fushën e Arsimit, ka punësuar shumë persona dhe është ballëhapur që reja e tij ka aftësi të jashtëzakonshme.

“Se është kuadër që të len fjetur”.

Sipas tij, ajo ka qenë kandidatja më e përgatitur në këtë konkurs dhe punësimi i saj në këtë pozitë është tërësisht meritor.

Ai e mohon se ka ndikuar që reja e tij, Fitorja të zgjidhet sekretare e shkollës, në konkursin e hapur nga drejtoria që ai udhëheq.

Madje, ai pretendon se komisioni e ka kuptuar se Fitorja është reja e tij, tek dy ditë pasi që e kanë bërë vlerësimin përfundimtar dhe e kanë zgjedhur atë për sekretare të shkollës.

Ndërkaq, reja e tij, e cila u përzgjodh në konkursin për sekretare, pretendon se vjehrri i saj, i cili është drejtor i Drejtorisë së Arsimit e cila e hapi konkursin, nuk qe fare në dijeni që ajo ka aplikuar në këtë konkurs.

Madje, për të përforcuar deklaratën e saj se vjehrri nuk ka ndikuar në punësimin e saj si sekretare, ajo thotë se ka aplikuar në disa konkurse të tjera të hapura nga Komuna e Obiliqit, por nuk është pranuar sepse vjehrri i saj nuk ka dashur të ndikojë.

Jusufi – Zeqiri, e cila është juriste e diplomuar dhe e cila thotë se ka përvojë më të gjatë se 16-vjeçare në Administratën Publike, pretendon se zgjedhja e saj në këtë pozitë është meritore.

Gjatë intervistës, ajo nuk e pranon se ka lidhje familjare me Fortesa Jusufin, e cila është bashkëshortja e vëllait të saj, Qëndrim Jusufi.

Por, Fitoren e tradhtoi një koment në Facebook, poshtë fotografisë së mbesës së saj, të bijës së Fortesës dhe Qëndrimit, ku ky i fundit e quan hallë të foshnjës.

Punësimin e bashkëshortes së djalit, Zeqiri e arsyeton me faktin që sipas tij, të gjithë zyrtarët shtetërorë, duke filluar nga presidentja Osmani, kryeministri Kurti, ish-presidenti Thaçi, e ish-kryeministrat, Mustafa e Haradinaj, kanë punësuar familjarë të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.