Kur mu ba boll me byrykatjet e analistëve n’televizor, (si Laroja n’ara), i bërtita djalit; m’ço n’Rugovë, si Mujë Bylykbashin n’Kotorr të Krajli, se lahutën e ka marrë malli me i pre do mjekërrosha e nuk jetohet tue i shty vadet!?
M’kishte hi droja se gjethet e kuqe t’ahishtes mbi katundin tim, s’i shoh ma! Vjeshta asht e shkurtë bjeshkëve t’mia. Gjethet skuqen e fluturojnë si fluska bore kur frynë e shfrynë veriu!
Prit s’e t’erdha, i çova fjalë t’birit t’Bal Alisë, atij shpatullokut që e hudhi si ujku n’shpinë, trupin pa jetë t’Sak Fazlisë e nuk ua la malazezve me ia çua kryet n’Ceti, si atij Balit tjetër! Plumbat i fishkëlluen si grethat, por Bala u katërris bjeshkës me Sakun, ia bani vorrin, madje edhe kangën ia kënduen:
__Sak Fazlia i Koshutanit, po i pisket Radovanit
Bjeshkët e mia si merr Nika pa hi n’vorre djemë e çika!
Të Ramizi m’ço i thashë Leartit, të ai rrebeli i viteve gjatëdheta, që fytas kapej me policët e Radiqit e me UDB-ashët e Pejës! Besa e Zotit edhe me do t’shitun rugovas, që e pështynë dajën e tij kur u kthye nga Goli otoku asht e lëkurë: “Phu, sram te bilo, i thanë! Na e prishe bashkim vllaznimin”!
Ramizi, ai flokçi i Rugovës e Gani Kolovica i Prishtinës, ishin dy djelmosha që e lypshin sherrin me gjetë ku asht mëshef!
Ai tani i ka palua vitet dhe t’pret “n’Eagle Ranch”, si Rizë Zymeri n’derë t’shpellës! Xhymert e trim si Bala!
Tepsinë me fli që avullohej e vuni n’tavolinë! Kosin e trashë të deleve e specat n’turshi të Dukagjinit!
__Mirë se erdhe artisti i krepave! Këtu të mbetën gjurmët kur ike n’sheher e këtu po ti ruejmë ne që s’i lam kurrë vetëm!
Ah sa shumë patëm me i thanë njeni tjetri! Ah sa shumë eshtnat i lëkundem ndër varre! Veç s’harruem me iu çua fjalë atyne që thojshin: Rugova ia maroi vilën Rankoviqit n’Kuçishtë me fjetë me rugovajka! E Rankoviqi kurrë s’e shkeli atë trevë! E stacioni i milicisë u marua shumë vite mbas ikjës së tij!
Kur na nxuni maza e koritave u pajtuem se Albini s’ka mbetë as me Fazën as me Razën!
__Njeni e kishte Razën gru e Fazën jaraneshë. Nji natë tue shkue të Faza i thehet vigu e bie n’Bistricë. E muer uji e ky bërtiste: As të Raza as të Faza!
M’ka hi droja i thashë mos edhe Albini po mbetët as me Evropën as me Amerikën e po na i merr tabelat RKS Vuçiqi e po lanë lesh n’pondlat tona!
Koshutan, 31.10.2022