Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në dy raste të ndara të mërkurën ka konfiskuar heroinë, kokainë dhe marihuanë dhe janë arrestuar katër të dyshuar.
“Këto operacione të suksesshme policore kanë parandaluar qarkullimin transit të narkotikëve nëpër Republikën e Kosovës e njëkohësisht edhe mundësimin e shfrytëzimit për konsumim të brendshëm”, ka njoftuar Policia.
Në rastin e parë, hetuesit policorë nga Sektori Qendror në Prishtinë, kanë identifikuar një të dyshuar për trafikim me lëndë narkotike dhe kanë siguruar të dhëna për veturën që përdorej nga i dyshuari.
I dyshuari është ndaluar të mërkurën rreth orës 19:00 në pikëkalimin kufitar Kullë, dhe gjatë kontrollit i janë gjetur 12 paketime, të dyshuara me substancë narkotike heroinë me peshë të përgjithshme 6 kg e 314 gramë. Të dyshuarit S.T. (1949) i janë konfiskuar edhe dy telefona celular dhe 585 euro.
Më pas policia ka batisur shtëpinë e të dyshuarit ku janë gjetur edhe 700 gramë kokainë dhe dëshmi tjera.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Policia, nën autorizimin e prokurores kanë kryer kontroll edhe në shtëpinë e të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar edhe dëshmi tjera relevante për rastin, si: makineri për presimin e lëndëve narkotike, mikser për përzierje të substancës narkotike, 700 gr heroinë dhe dëshmi tjera. Mendohet se vlera e lëndëve narkotike të konfiskuara është rreth 175, 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesëmijë) euro. I dyshuari është shoqëruar në polici, është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim të prokurores ndalohet deri në 48 orë”, ka njoftuar Policia.
Në rastin e dytë, po të mërkurën në Prishtinë, policia ka ndaluar një veturë pasi kishte marrë informata se disa të dyshuar po bëjnë shitblerje të narkotikëve.
Gjatë kontrollit të veturës, rreth orës 16:00, janë gjetur 17 gramë kokainë, 16 gramë marihuanë dhe 2335 euro.
“Policia ka siguruar urdhër-kontroll nga organet e drejtësisë dhe ka realizuar kontrollin në dy prona të të dyshuarit M.J., (viti i lindjes 1971, mashkull kosovar), ku janë gjetur dhe sekuestruar provat: dy qese (doza) me kokainë me peshë prej 2 gramëve si dhe një revole dhe një karikator me 6 fishekë. Gjatë operacionit policor janë arrestuar edhe: B.S., (viti i lindjes 1993, mashkull kosovar) dhe A.J., (viti i lindjes 1993, mashkull kosovar). Gjatë realizimit të këtyre rasteve, sektori qendror i hetimeve, ka bashkëpunuar ngushtë me zyrtaret kufitar, zyrtarët e rendit, njësitin me qenë- K9 dhe faraniken”, ka njoftuar Policia.