Më 7 mars të vitit 1999, familja e Mejdi Asllanit u sulmua nga katër policë të Serbisë, të cilët e morën peng gjithë familjen Asllani, duke ua mbajtur tytat e automatikëve në kokë dhe në gjoks brenda shtëpisë së tyre, në lagjen Emshir të Prishtinës. Mejdiu ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me të dy djemtë e tij Asllanin dhe Bekimin. Në një ngjarje të pabesueshme dramatike, Mejdi Asllani bashkë me djalin e tij Asllanin, arritën ta përmbysin situatën falë bombave të dorës dhe një automatiku që e kishin në shtëpi. Atë ditë ata dhanë një shembull të jashtëzakonshëm të rezistencës në kryeqytet.
Në këtë takim që ishte planifikuar që në fillim të vitit bashkë me Mejdiun që të mbahej pikërisht në shënim të 25-vjetorit të betejës së tij në Emshir, Kryeministri Kurti dhe djemtë Bekimi dhe Asllani sot kujtuan jetën e veprën e tashmë të ndjerit Mejdi Asllanit, një luftëtari me zemër e në mendje, patriot në luftë e në paqe, që vazhdon të na frymëzojë, e që nuk do të harrohet asnjëherë.
Mejdi Asllani vdiq me 31 janar të këtij viti. Kryeministri Kurti kishte marrë pjesë në ceremoninë e varrimit e tij.