Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ‘Subvencionet II’, i akuzuari Rasim Zekaj ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues dhe prokurorit special Rafet Halimi.
Fillimisht dëshmitarja Vjulanda Morina, ka pohuar se në vitin 2020 ka aplikuar në emër të kompanisë “Organic Herb”, për subvencionim pranë Ministrisë së Bujqësisë, Departamenti i Agjencisë për Zhvillimin e Biznesit (AZhB).
Pas pyetjes së prokurorit special Halimi, se a e ka kuptuar mospërputhjen mes listës së aplikimit të saj dhe listës që subvencionohet për produkte të caktuara nga AZhB-ja dhe se kulturat e prezantuara nga ata nuk subvencionohen, ajo tha se ata kanë paraqitur një listë me produkte që i subvencionojnë, e kompania Organic Herb ka paraqitur listën e tyre me të mbjellat përkitazi me kërkesën e tregut.
“Unë deklarova sikur edhe në deklaratë para dy viteve, ata kanë paraqitur listën e tyre e ne listën tonë të produkteve që kanë qenë të mbjellura, që janë bimë mjekësore e që janë mbjellur me kërkesë të tregut. Listat janë ndryshe, sipas neve ato produkte do duhej me u subvencionu”, tha dëshmitarja Morina.
Tutje, e njëjta tha se shefi i saj Rasim Zekaj, kishte qenë në dijeni se listat nuk përputhen pasi që me të fliste në baza ditore.
“Unë me shefin Rasim Zekaj, flas në baza ditore dhe ai është i njoftuar për çdo gjë dhe për çdo punë. Zotëri Rasim është njoftuar që lista jonë është ndryshe nga lista e ministrisë”, tha dëshmitarja Morina.
Më pas trupi gjykues ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit, Rasim Zekaj, avokatit Emrush Kastrati lidhur me dëgjimin e dëshmitarit Bekim Bruqi me arsyetimin se ky propozim është në kundërshtim me nenin 123, të KPRK-së.
Kurse, lidhur me dëgjimin e dëshmitarëve Arben Osmani dhe Musafer Luma gjykata ka vlerësuar se të njëjtat dëshmi janë jorelevante lidhur me këtë çështje penale.
Po ashtu, është refuzuar edhe propozimi që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen inspektorët e policisë pasi që sipas gjykatës të njëjtit të gjitha veprimet e ndërmarra në terren i kanë paraqitur në procesverbalin dhe vetëm do ta prolongojë këtë çështje.
Tutje, në këtë seancë pas administrimit të provave materiale nga prokurori special Halimi, i akuzuar Rasim Zekaj ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues dhe prokurorit.
“Unë nuk jam dakord me prokurorin me vendimet e gjykatës lidhur me refuzimin e dëshmitarit Bekim Bruqi dhe provave tjera. Kjo është politikë dhe marketing. Unë jam i pafajshëm. Unë kërkoj me u përjashtu trupi gjykues dhe prokurori. Unë jam i pafajshëm”, tha ai.
Kurse, mbrojtësi i tij, avokati Emrush Kastrati lidhur me kërkesën e të akuzuarit Zekaj tha se ai ka tentuar ta bindë për ta tërhequr këtë kërkesë, por që i mbrojturi i tij qëndron prapa të njëjtës.
Ndërsa, prokurori Halimi tha ka kërkuar të mos i jepet hapësirë secilit person të flasë përralla.
“Nuk duhet me i dhanë hapësirë secilit person këtu me fol përralla”.
Po ashtu, ai tha se pas analizimit të dëshmisë së dhënë nga dëshmitarja Vjulinda Morina, ka kërkuar proces verbal të veçantë të dëshmisë së saj pasi që e njëjta ka deklaruar se edhe më herët kanë përfituar subvencione në bazë të njëjte dhe ai procesverbal t’i dorëzohet prokurorisë për hetime të reja.
Në këto rrethana seanca e sotme u ndërpre deri në një vendim lidhur më kërkesën e të akuzuarit Zekaj.
Ndryshe, në këtë çështje penale aktakuza ishte ngritur kundër 15 të akuzuarve me 20 pika akuzuese, mirëpo në shqyrtimin fillestar 10 prej tyre kishin pranuar fajësinë dhe ndaj tyre ishte veçuar procedura penale.
Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka nxjerrë dy aktgjykime të ndara, ku janë dënuar 10 nga të akuzuarit.