Në orët e para të mëngjesit të 27 shkurtit të vitit 2020, një veturë e djegur ishte gjetur në Zahaq të Pejës. Brenda veturës ishte gjetur trupi i pajetë dhe i djegur i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendit.
Gati tri vjet janë bërë nga vrasja enigmatike e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendit. Por, edhe pse ka kaluar kaq kohë, ende s’dihet kush e vrau. Prokuroria Speciale s’ka kthyer përgjigje, por për rastin shkurtimisht ka folur gruaja e Qerimit, Arjeta.
Se kush e vrau Kelmendin, s’dihet ende as tash kur janë bërë gati tri vjet nga ajo ditë
Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë Speciale për këtë rast, por nga ky institucion s’janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të tekstit.
Por, se s’ka ndonjë të re, e ka thënë gruaja e Qerimit, Arjeta.
“Nuk ka asgjë te re. Kurdo që të ketë, ju shkruaj”, ka thënë shkurtimisht ajo për Express.
Krejt çka dihet rreth vrasjes së Qerim Kelmendit – Gazeta Express
Për vrasjen që atëherë kishte tronditur vendin, ishin deklaruar dhe vëllezërit Kelmendi.
Vëllai i Qerimit, Osmani kishte thënë se vëllain ia kishin zënë në pritë.
“Vëllain tim e kanë zënë në pritë mbrëmë. Njëherë e kanë ekzekutuar pastaj e kanë djegë veturën. Ai ka qenë në qytet mbrëmë. Gjithmonë ka dal i lirë për tu shëtitur rrugëve të Kosovës”, kishte thënë Osmani për Express.
Ai kishte hedhur poshtë dyshimet se Qerimi mund të ketë qenë dëshmitar i Gjykatës Speciale.
E për atë se kush mund ta ketë kryer vrasjen, ishte deklaruar vëllai tjetër i Qerimit.
Ish-udhëheqësi i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ibrahim Kelmendi, i kishte thënë Gazetës Express se dyshon që prapa vrasjes së vëllait të tij qëndrojnë vrasës mercenarë, apo profesionistë të BIA-s serbe.
“Dyshoj në vrasës mercenarë apo profesionistë të BIA-s së Serbisë, e cila duhet të ketë shfrytëzua rastin e debatit dhe grindjeve për “vrasjet politike”, për ta ndez edhe më shumë armiqësimin mes “krahëve” të luftës dhe pacifist.
Sa herë që nxiten grindje e debate, BIA shfrytëzon rastin të bëjë vrasje, për ta armiqësuar sa më shumë ambientin mes shqiptarëve”, kishte thënë Kelmendi për Express.
Postimet e fundit të Qerim Kelmendit në Facebook, disa orë para se të vritej
Pak orë para se policia të gjente veturën e djegur të Qerim Kelmendit, ky i fundit përmes dy shkrimeve në rrjete sociale i kishte dalë në krah, nënkryetarit të organizatës së veteranëve të luftës, Nasim Haradinajt, që në një intervistë në Televizionin T7, e kishte quajtur tradhtar ish-presidentin Ibrahim Rugova.
Kelmendi kishte shkruar se emri i Ibrahim Rugovës është shndërruar në lavatriçe të udbashëve.
“Emri i Ibrahim Rugovës ështē shendrruar ne Lavatriçe të udb-ashve, titistve, rankoviqistve, rugovistve, pastaj, të qyqarve, dezertorve dhe sabotatorve te luftës. Këtë farē te keqe e ka mbjellë, kultivuar, rritur dhe korrur UDB dhe KOS ! Janë shumë…”, kishte shkruar ai, derisa e kishte shpërndarë intervistën e Haradinajt, ku fliste për Rugovën.
Një orë më vonë, Qerim Kelmendi e kishte bërë edhe një postim në rrjete sociale, të fundit, para se të gjendej i vrarë.
Ai kishte shpërndarë një shkrim të një personi ku thoshte se “Të quhet Nasim Haradinaj farë e keqe nga Naser Rugova, është fyerje jo vetëm për Nasimin, por edhe për babanë e tij hero”.
Të njëjtit postim i kishte bashkëngjitur shkrimin “Po, Smajl Haradinaj e Nasim Haradinaj janë Tradhtarë, sepse ishin pakic, ishin kundër Serbisë, luftuan kundër Serbisë dhe shumicës shqiptare ! Edhe Unë jam tradhtarē si Smajl Haradinaj dhe Nasim Haradinaj, sepse, njësoj si ta, jam i urryer nga mijra shqiptarë”, kishte shkruar ai.