Lista Serbe i reagon Nënkryetares së Zveçanit: Tomaniq dhe shefi i saj Kurti e dinë shkakun e zjarrit para çdo hetimi

Para dy ditësh është djegur në Zveçan lokali i nënkryetares së kësaj komune Natasha Tomaniq. Pas kësaj ngjarje, Tomaniq tha se nuk frikësohet nga Lista Sebe dhe strukturat kriminale në veri. E nga kjo parti politike thanë se dënojnë ashpër akuzat nga Tomaniq, pasi siç thonë ata janë të rrejshme, shkruan Gazeta Express.

Nga kjo parti thonë se Tomaniqi e ka shef Albin Kurtin, teksa shtuan se të dy e dinë shkakun e zjarrit para çdo hetimi.

“Është interesant fakti se Natasha Tomaniq, ashtu si shefi i saj Albin Kurti, e dinë shkakun e zjarrit para çdo hetimi dhe rezultatet e shërbimeve të ekspertëve. Për më tepër, Kurti dhe Tomaniqi insinuojnë se edhe ata e dinë se kush e ka kryer këtë akt”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Tutje në këtë reagim thuhet se Lista Serbe është duke luftuar për mbrojtjen e popullit serb dhe se komuniteti ndërkombëtar është duke bërë presion të madh mbi pushtetin në Kosovë.

 

Nën dyshimet se Lista Serbe apo organizata terroriste “Brigada e veriut” janë përgjegjësit për djegien  lokalit të saj, nënkryetarja e Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, ka ritheksuar se nuk mund ta frikësojë askush dhe se do të bëjë një ndërtesë edhe më të madhe, sesa lokali që iu dogj.

Ajo ka thënë se grupet kriminale në veri të Kosovës nuk e kanë më sundimin që kishin dhe se punësimi i serbëve në institucionet kosovare po iu pengon.

“Nuk mund të akuzoj askënd personalisht  por sipas meje nuk është askush pos Listës Serbe ose Brigadës Veriore. Sepse ata janë qartazi kundër punësimit të neve serbëve në institucionet e Kosovës. Por, një gjë nuk mund ta kuptojë, si mundet që ne të punësohemi në institucionet e Kosovës, e vetë ata bëjnë kërkesë të kthehen nëpër institucionet kosovare. Mund ta potencoj se nuk frikësohem, është evidente që e kanë pas sundimin në këtë pjesë të Kosovës në këto vite dhe tash i ka dalë nga dora kjo situatë dhe këto janë qëllime që ta penojnë në punën tonë”, ka thënë Tomaniq në një intervistë.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për djegien e dyqanit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq. Kurti thotë se ky akt është kryer nga elemente kriminale në Zveçan, të cilët pikërisht me 8 mars kanë zgjedhur dhunën.

“Pikërisht me 8 Mars, elemente kriminale në Zveçan zgjodhën e rizgjodhën dhunën, terrorin dhe sulmin, kësaj radhe ndaj pronës private, dyqanit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniq. Ky duket të jetë “urimi” i tyre për 8 Mars për nënkryetaren Tomaniq dhe për të gjithë serbët që duan integrimin në Kosovë, çlirimin nga strukura kriminale që kërcënojnë dhe pavarësimin nga Beogradi zyrtar që i shantazhin”, ka shkruar Kurti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se shpreson që edhe QUINT dhe Zyra e BE-së ta dënojnë një akt të tillë.

“Dita Ndërkombëtare e Grave shënohet me mirënjohje, përkujdesje, dashuri e angazhim të përbashkët për barazi. Jo me dhunë e terror.Përgjigjja ndaj akteve të tilla dhe personave përgjegjës është sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës. Kurse ndaj serbëve të Kosovës që vazhdojnë të përballen me dhunën fizike e psikologjike dhe kërcënimet e vazhdueshme, është mbështetja e inkurajimi për të plotësuar deri në fund vullnetin e tyre.Shpresojmë që edhe ambasadorët e Quintit dhe shefi i Zyres së BE-së, z. Tomas Szunyog, do ta dënojnë ashpër këtë akt kriminal, terrorist e qyqar”, ka shkruar Kurti.

Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha dje se institucionet shtetërore e dënojnë këtë akt nga grupet kriminale në Zveçan.

“Grupet kriminale në Zveçan vazhdojnë me sulme dhe terror, kësaj radhe cak i tyre ishte dyqani privat i nënkryetares së Komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniq. Si institucione shtetërore e dënojmë këtë akt dhe ju ofrojmë mbështetje qytetarëve nga komuniteti serb në luftën tonë të përbashkët kundër grupeve kriminale”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.