Bislimi flet për BE’n dhe qëndrimet: Janë jo shumë parimor për targat

“Mendoj se data 1 nëntor ka fituar peshë të cilën nuk e meriton”, tha zëvendëskryeministri Bislimi, sipas të cilit, kjo ndodhë për dy arsye.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi në një intervistë për RTK-në, se ishte një qëndrim joparimor nga Bashkimi Evropian, kur në vend që të përqendrohej në zbatimin e vendimit për targa, më tepër janë marrë me datën 1 nëntor.

Sipas Bislimit, kjo datë  nuk ka asgjë të bëjë me marrëveshjen e Brukselit.

“E para për shkak të brengës që ka ekzistuar në komunitetin ndërkombëtar për potencialin destruktiv që ka Qeveria në Serbi, e cila mezi pret që të krijojë trazira në veri e bashkë me këtë edhe fushatën  e fuqishme dezinformuese, përfshirë edhe kërcënimet ndaj qytetarëve serbë”, tha Bislimi, duke shtuar se veprime të tilla, kanë zvogëluar gatishmërinë e qytetarëve serbë që brenda afatit, të konvertojnë targat e tyre ilegal ne ato legale.

“E nga ana tjetër nga një qëndrim ndoshta jo shumë parimor të BE-së, të cilët që nga fillimi, në vend që të përqendrohen në mbështetje të zbatimit të këtij vendimi, në mënyrë joracionale janë marrë më datën e 1 nëntorit”, tha Bislimi.

Ai thotë se ka pasur debat që në fillim nga ana e përfaqësueseve të BE-së, ku është përcaktuar nevoja për shtyrje të afatit,  e nuk ka pasur ndonjë argumentim të mirëfilltë për këtë.

“Përndryshe, data 1 nëntor,  është si çdo datë tjetër, ku kemi një vendim të qeverisë që nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e Brukselit dhe dialogun, për arsye se vendimi është marrë atëherë kur procesi i dialogimit në Bruksel ka përfunduar pa sukses, në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare”.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislmi deklaroi se për këtë arsye, tani kur ka vetëm përfundim të  këtij afati, atëherë tani ecin afatet tjera.

Bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, plani për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, e që përmbajnë akronime të qyteteve të Kosovës, do të zbatohet në disa faza.

Plani i Qeverisë së Kosovës i publikuar me 28 tetor, parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

Kështu, për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit.

Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes.

Më pas,  nga 21 janari do të jenë targa provuese për dy muaj të tjerë.

E krejt në fund, nga 21 prilli nuk mund të ketë më automjete që qarkullojnë me targa të tilla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por edhe zyrtarë të tjerë të Kosovës, vazhdimisht u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat ilegale me ato të ligjshme./RTK/

Leave a Reply

Your email address will not be published.